E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jorgaqit i vjedhin "Konicën"

Veprat e Konicës, mbledhur në vite nga studiuesi dhe shkrimtari i njohur Nasho Jorgaqi, botohen, duke kopjuar një për një të gjithë punën e tij. Ka vetëm një ndryshim. Në vend të emrit të studiuesit të veprës së Konicës, z. Nasho Jorgaqi, është vendosur emri i zonjës Vasilika Sherifi, e cila, sipas këtij shënimi, prezantohet te lexuesi shqiptar si personi që zgjodhi dhe pruri veprën e Konicës. Pra, 14 vjet pas botimit të vëllimit të parë të veprës së Konicës, në vitin 2007, vepra e tij vjen në duart e lexuesit shqiptar nga zonja Vasilika Sherifi. Në një nga faqet e para të këtij libri, zonja Sherifi saktëson se ky botim i saj i vitit 2007 është i pari dhe me të drejta të legjitimuara. Madje, në shënim thuhet se të gjitha të drejtat e botimit dhe shumëfishimit të veprës së Faik Konicës në gjuhën shqipe brenda dhe jashtë vendit, janë të rezervuara. Por, të njëjtën vepër të Faik Konicës, me të njëjtën renditje e gjejmë të botuar disa vite më parë në katër vëllime. Puna e Faik Konicës ka ardhur për herë të parë e mbledhur në vëllime për lexuesin shqiptar në vitin 1993 nga studiuesi i njohur, profesor Nasho Jorgaqi. Profesor Jorgaqi, për një periudhë disavjeçare, ka studiuar dhe mbledhur veprën e Faik Konicës, këtij personaliteti të kulturës dhe letërsisë shqiptare, nëpër biblioteka, arkiva, brenda dhe jashtë vendit. Nëse merr në dorë vëllimin e parë të veprës së Konicës, që shënon edhe herën e parë në historinë e botimeve shqiptare, të botimit të veprës së tij të zgjedhur, shikon datën e botimit, vitin 1993 dhe emrin e studiuesit të saj, profesor Nasho Jorgaqit. Por, nëse shikon edhe veprën e Konicës të botuar në vitin 2007 nga zonja Sherifi, vëren se renditja e veprës është e njëjtë. Librat janë njësoj. Pra, puna studimore trevjeçare e profesor Jorgaqit merret si pa të keq dhe ribotohet pas 14 vjetësh, si e drejtë e legjitimuar e dikujt tjetër. "Unë, krahas punës sime si shkrimtar, kam punuar edhe si studiues dhe kjo punë është shtrirë në kohë, ndoshta edhe në vite, sepse më është dashur të kërkoj nëpër arkiva, në biblioteka, në burime të tjera, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Si rezultat i kësaj arrita që në vitin 1993 të botoj për herë të parë në historinë e botimeve shqiptare veprën e zgjedhur të Konicës. Në treg ka dalë një libër, vepra e Konicës, ku përmblidhet vepra e zgjedhur e tij. Ajo është lënë fjalë për fjalë siç ishte, vetëm është hequr emri im. Zonja, e cila është një librare e quajtur Vasilika Sherifi, ka vënë emrin e saj dhe e ka nxjerrë veprën në qarkullim", deklaroi në emisionin "Fiks Fare" profesor Jorgaqi. Studiuesi i njohur i veprës së Konicës dy ditë më parë ka depozituar një ankesë pranë zyrës shqiptare të së drejtës së autorit. Përgjegjësi i sektorit të gjykimit dhe administrimit të ankimeve pranë kësaj zyre, zoti Ervin Rukaj, deklaroi se pas ankesës së profesor Jorgaqit, zyra shqiptare e së drejtës së autorit do të kryejë një hetim administrativ. Përfundimet e specialistëve të zyrës së të drejtës së autorit për këtë ankesë të studiuesit Jorgaqi, puna kërkimore disavjeçare e të cilit për veprën e Konicës u kopjua dhe u hodh në treg, do të jepet pas tre muajsh. Sipas zotit Rukaj, ky hetim, në rastin më të keq, mund të zgjasë edhe 90 ditë, pasi është edhe afati maksimal i parashikuar nga ligji. Zyra shqiptare e së drejtës së autorit do të dalë në fund të hetimit për disa konkluzione, të cilat do t‘u japin të drejtë palëve për t‘iu drejtuar gjykatës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›