E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olsi i "Big Brother", një tregim për veten dhe Nadën

Jeta e Olsit tashmë ka ndryshuar. Pas daljes nga shtëpia e "Big Brother", tashmë jeta e tij do të ketë një tjetër rrjedhë. 33- vjeçari nga Tirana, Olsi Mingomataj, do të kujtohet si lojtari më i fortë i edicionit të parë të "Big Brother Albania", si personazhi më kreativ që diti t‘i japë aq shumë publikut. "Big Brother" për të do të mbetet një përvojë e vyer, e cila i ndryshoi jetën sentimentale.

Në një intervistë më poshtë, Olsi tregon 100 ditët e tij brenda shtëpisë dhe gjithçka për lidhjen e tij me Noçen.

Le ta nisim këtë bisedë me orët e fundit brenda shtëpisë së "Big Brother". Çfarë mendonit në ato çaste?

Me një kandidat të fortë si Arbri, edhe dyshime kisha që nuk mund të fitoja, por dëshirë kisha që të fitoja. Ishte një moment i përzierë me emocionet, ku ishte brenda dëshira për të qenë ti triumfuesi bashkë me frikën se kjo gjë nuk do të realizohej. Ndodhnin shumë gjëra brenda nesh dhe për faktin se duhet të përballonim emocionin që na priste jashtë. Ne nuk e dinim se si do të ishin ato. Një tjetër emocion ishte fakti se çfarë do të ndodhte nëse do të dëgjoja emrin si fitues. Kishim provuar emocionet e nominimeve që kemi qëndruar në shtëpi, por momentet e fundit brenda saj ishin krejt ndryshe si përvojë, të dëgjoje emrin tënd si fitues pas një periudhe 100-ditore brenda shtëpisë.

100 ditë brenda shtëpisë. Ju keni qenë një nga lojtarët më të fortë. Cilat ishin armët e Olsit në këtë lojë?

Qetësia. Përvoja në komunikimin me karaktere të ndryshme njerëzish dhe origjinaliteti.

Cilat do të jenë çastet që do të mbani mend më shumë nga muajt brenda "Big Brother"?

I pari do të jetë momenti i hyrjes. Momenti kur hyri babai në shtëpi, surpriza e ditëlindjes. Puthja e parë me Noçen. Surpriza e "Big"-ut. Darka e njëmujorit të lidhjes me Najadën, pasi doli vërtet një darkë romantike brenda mundësive që ishin në "Big Brother". Ne të dy në tryezë dhe shiu që na shoqëronte nga jashtë… Muzika e këndshme në sfond. Gatimi im special posaçërisht për Noçen.

Janë dhe shumë momente të tjera të tilla, që lidhen me banorët që unë i kam ndjerë më afër aty brenda si Poli, Astriti, Romina, Jonida, Nardi dhe Arbri.

Por momentet që nuk do të donit t‘i kujtonit?

Çasti i lajmit të vdekjes së pronarit të "Top Channel", z. Dritan Hoxha. Ishte një moment në të cilin mbetëm pa fjalë dhe nuk dinim si të ngushëlloheshim. Por e vetmja gjë që mund të bënim ishte ta çonim deri në fund këtë spektakël që ai e nisi me aq pasion. Ai ishte një nga spektaklet më të mëdha që ne kemi pasur ndonjëherë në Shqipëri, duke na futur në rangun evropian, dhe kjo ishte meritë e Tanit.

Si ishte të jetonit 100 ditë të monitoruar nga kamerat. Sa ju pengonte kjo gjë?

Nuk na pengonin kamerat. Ndoshta ditët e para mund të ndjenin një lloj varësie nga ato, më pas i harruam se ekzistonin.

Të gjithë janë kureshtarë të dinë diçka më shumë për lidhjen tuaj me Noçen. Si mund ta përshkruanit këtë histori?

Është një lidhje që lindi krejt natyrshëm. Dhe sa më shumë ditë kalonin, aq më shumë gjëra të veçanta shihja te Najada, që i pëlqeja. Në fillim kisha dhe një farë dyshimi në vetvete në do të më pëlqente Noçja mua si tip. Por e dija që kishim shumë gjëra të përbashkëta. Që ishim pa komplekse. Pëlqenim një lloj jetese të njëjtë dhe ishim të dy të njëjtë në mënyrën e komunikimit të drejtpërdrejtë me të tjerët. Flisnim të dy pa doreza, pa e menduar se si do të interpretohej jashtë shtëpisë kjo gjë. Kuptohet, secili në mënyrën e tij.

Pastaj isha unë ai që i kam bërë pyetjen i pari Noçes, duke i thënë "Po me ndonjë tip si puna jote, a je lidhur ti Noçe?". Aty e kuptova se doja të lidhesha me të. Kuptova se kisha filluar ta dëshiroja një lidhje me të. Pastaj ngjarjet rrodhën gradualisht. Të dy kokëfortë nuk e jepnim veten. Ecnim në korridor dhe bënim sikur nuk kishim ndonjë simpati për njëri-tjetrin, ndërsa në mbrëmje ziheshim se në cilin krevat do të flinim. Pasi thellë brenda nesh secili donte të rrinte me njëri-tjetrin. Të gjitha këto veprime që na ndodhnin ne të dyve nuk kishin lidhje fare me një lojë aty brenda, apo me një lidhje sa për lojë apo shoë, sepse unë me aq sa e njihja nuk do t‘i vija kurrë në lojë ndjenjat e Noçes si person. Në qoftë se do të ishte ideja për lojë, kishte njerëz të tjerë me të cilët mund të bëja lojë aty brenda.

Ndërkohë që filluat të tërhiqeshit nga Noçja, jashtë shtëpisë ju ishit i lidhur me dikë tjetër...

E kisha harruar lidhjen tjetër në ato çaste. Gjë që më bëri të kuptoj se nuk kisha më ndjenja për personin që kisha pasur lidhje dhe nuk kisha qenë i dashuruar.

A keni pasur kontakte me ish të dashurën, tashmë që keni dalë nga shtëpia e "Big Brother"?

Jo, absolutisht. As nuk e kam ndërmend fare, sepse jam shumë i dhënë pas së dashurës sime që kam aktualisht dhe ndjehem i kompletuar në këtë aspekt. Dhe nuk do të kisha arsyen më të vogël që të më shtynte kurioziteti të takoja ish të dashurën time. Uroj që të jetë mirë dhe që të mbetemi shokë.

Çfarë do të kishte ndodhur nëse Noçja do të kishte lënë shtëpinë e "Big Brother" para teje?

Sigurisht që do të mërzitesha, por do të më mbante gjallë ideja se sa bukur do të jetë kur të dalë që ta takoj dhe të jemi bashkë sërish.

Olsi, Noçja jashtë shtëpisë ka bërë shumë fansa. Shumë njerëz që do të donin të njiheshin me të. Si ju bën të ndjeheni ky fakt?

Ndjehem i lumtur, që ashtu si unë e vlerësova Noçen për atë që është, ka dhe shumë njerëz që e vlerësojnë dhe e pëlqejnë për tipin, karakterin, origjinalitetin që atë e karakterizon.

Si kanë qenë ditët e para jashtë shtëpisë?

Së pari shuam kuriozitetin se si ishte të flinim në një krevat dopio unë dhe Noçja, dhe u kënaqëm shumë. Kanë qenë pak të lodhshme, për vetë faktin se ishim mësuar brenda shtëpisë së "Big Brother" me qetësinë që kishte aty dhe jashtë është një tjetër realitet. Megjithatë ndjehemi mirë kur lodhjen na e kompenson kënaqësia që ndjejmë rrugës kur na ndalin njerëz të moshave të ndryshme, të rretheve të ndryshme shoqërore dhe na përgëzojnë, duke na uruar si çift.

Si do të jetë jeta juaj pas "Big Brother"?

Sigurisht që do të jetë tërësisht ndryshe nga çfarë ka qenë përpara. Në aspektin e angazhimit me punë. Deri tani jam duke pritur oferta të ndryshme pune dhe më pas do të vendos se ku e shoh unë veten më të aftë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›