E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cindy vs Michelle, beteja e zonjave

Cindy MecCain, bashkëshortja e kandidatit republikan për në Shtëpinë e Bardhë, John MecCain, është trashëgimtarja e pasur e një biznesmeni birre nga një shtet perëndimor, ndërsa Michelle Obama është një juriste e suksesshme nga Çikago. Të dyja këto gra që kanë qëndruar fuqishëm përkrah gjithë fushatës së deritanishme zgjedhore të bashkëshortëve të tyre, pritet që të vazhdojnë mbështetjen e tyre, madje të marrin edhe personalisht pjesë në "betejë". Edhe pse Cindy e bardhë si një kukull Barbi dhe Michelle e zezë si një luaneshë xhungle mund të duket se janë të ndryshme, një sy i vëmendshëm do të konkludonte se këto gra që do t‘i kemi shumë prezente në ekran në muajt që vijnë, deri në zgjedhjet e nëntorit, kanë më shumë pika të përbashkëta nga sa mendojmë.

Së pari, të dyja janë renditur në vende të ndryshme në listimet për gratë e famshme të veshura më mirë dhe ato të veshura më keq. Të gjitha revistat e gazetat e Shteteve të Bashkuara, madje edhe ato lokale nuk kanë lënë gjë pa shkruar për to duke filluar nga profilet personale e duke përfunduar me investigime të hollësishme të së shkuarës dhe çështjeve të tyre personale para dhe pas martesës. Njerëzit pak a shumë tani e dinë mirë se më kë kanë të bëjnë dhe sigurisht, në nëntor, para se të hedhin votën për bashkëshortët e tyre do të vlejë shumë edhe impresioni që u kanë lënë gratë e tyre. Për këtë arsye, roli i të dyjave është shumë më i madh dhe këtë herë ndryshe nga zgjedhjet paraardhëse ato do të kenë një pozicionim më të dukshëm. Ndërsa MecCain dhe Obama janë në kërkim të kandidaturave për zëvendësit e tyre. Michelle dhe Cindy po përgatiten për konkurrimin e tyre për "postin" e Zonjës së Parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në fakt, ky term mund të duket në kohët e sotme paksa anakronik. Jacqueline Kennedy thoshte se ajo e kishte tmerr të bëhej Zonjë e Parë: "Më duket vetja si shalë kali", ka thënë gjatë një interviste gruaja e Presidentit Kennedy. Për këtë pozicion nuk ka një përshkrim zyrtar të detyrave, apo detyrimeve, megjithatë dihet se një Zonjë e Parë duhet të jetë e pastër, e dëlirë, e ndershme, shtëpiake e mirë dhe të mbështesë të shoqin shpirtërisht në të gjitha betejat e tij të përditshme, duke i krijuar konfort dhe mundësi çlodhjeje e rigjenerimi. Kjo është pak a shumë lista e pashpallur e cilësive që duhet të mishërojë zonja e Shtëpisë së Bardhë. Me fjalë të tjera, ajo duhet të mbetet në hije dhe do të ishte mirë që të ketë një buzëqeshje të bukur të cilën duhet ta vërë "në punë" në rastet zyrtare, apo në festat e pritjet e shënuara. Por Cindy dhe Michelle zor se mund të mbajnë një pozicion të tillë, që tashmë duket se ka dalë jashtë mode, të paktën për dy gra si ato. Ato kanë fytyrë dhe mendje të bukura, janë të suksesshme dhe nëna, ndaj pritet që të zhvillojnë një tjetër luftë nga paraardhëset e tyre e si pasojë të sjellin në Shtëpinë e Bardhë një tjetër model të Zonjës së Parë. Javën e kaluar, trashëgimtarja e pasur, zonja MecCain, 54 vjeç ishte në Kolorado, San Diego për të ndrequr apartamentin e çiftit buzë detit të cilin sapo e kanë blerë. Në të njëjtën kohë, Michelle Obama ndodhej në fushatë bashkë me të shoqin, i cili këtë javë kurorëzoi me fitore, pas shumë përpjekjesh e një lufte gati të pafund, postin e tij si përfaqësues i demokratëve në zgjedhjet e nëntorit. Pikërisht këtë javë ajo u përball edhe me disa nga sulmet më të egra që i janë bërë ndonjëherë bashkëshortes së një kandidati presidencial. Sulmet vinin nga blogjet, disa stacione radiofonike dhe kishin të gjitha pak a shumë sfond racial. Ndër sharjet dhe ofendimet që iu adresuan Obamës ishin: "Panterë e zezë dhe e egër, mosmirënjohëse, antiamerikane, e hidhur, një zezake e qelbur getosh". Këto sulme e bënë Barakun që t‘i cilësonte sharjet "të përçmueshme" dhe sharje që vinin nga njerëz që nuk i njihnin vlerat familjare. Por ato që përjetoi Michelle së fundi, Cindy i ka provuar kohë më parë dhe duket se ka fituar tashmë imunitet ndaj sulmeve personale. Ajo është fëmija i vetëm i një shpërndarësi të pasur birre nga Arizona dhe gjatë fushatës presidenciale të mëparshme të së shoqit në vitin 2000 u vu në shënjestër të njerëzve të Bushit, që në atë kohë ishte guvernator i Teksasit. Pikërisht ata i gërmuan në të shkuarën dhe nxorën në dritë faktin se ajo kishte qenë e varur ndaj tabletave antidhimbje. Madje, ata nxorën edhe një fakt, që nuk është provuar në lidhje me ekzistencën e një fëmije të John MecCain, jashtë martese, i cili ka ardhur në jetë nga lidhja e tij me një zezake. Ndërkohë, çifti nuk ka fëmijë vetë, por ka adoptuar një vajzë nga Bangladeshi. Në njëfarë mënyre të dy kandidatet për Zonjën e Parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk mund të ishin më të ndryshme: Michelle Obama është një juriste me ngjyrë, është laureuar në një nga shkollat më të mira në Princeton dhe Harvard, është rritur në një familje të varfër në Çikago, ndërsa Cindy është një pasanike me një jetë shumë të lehtë, gruaja e dytë e të shoqit, një bukuroshe me flokë të oksigjenuar dhe me një qëndrim prej kukulle, me orgjinë nga shteti tërësisht i bardhë i Arizonës. Gjëja që i bën bashkë është prioriteti parësor që i kanë vënë vetes: familja dhe fëmijët. Koha që Michelle kalon në fushatën e së shoqit nuk e ndalon kurrë që të jetë gjithnjë prezente në momentin kur të bijat bien në gjumë. Ndërsa Cindy i kërkoi të shoqit kohë më parë që të hiqte dorë nga politika, pasi sharjet dhe fyerjet e kishin tronditur vajzën e tyre. Të dyja do të kenë të njëjtin rol, deri në datën finale të zgjedhjeve të nëntorit: të tërheqin sa më shumë votues në favor të bashkëshortëve të tyre, kryesisht nga kampi i mbështetësve të Hilarisë, tashmë të eliminuar, duke mësuar edhe nga gabimet e fushatës së saj. Cilado që do ta fitojë "çelësin" e Shtëpisë së Bardhë, ka për të ripërkufizuar e ridimensionuar pozicionin e deritanishëm të gruas së Presidentit të vendit, duke u përpjekur që as të mos bëhen ambicioze qesharake e superaktive si Hilari Klinton, por as të mos jenë kukulla lëvizëse si Laura Bush. Megjithatë, ka ndryshime mes të dyjave. Cindy, gjithsesi, do të jetë një Zonjë e Parë më tradicionale. Ajo aktualisht drejton një program ndihmash në Afrikë, por nuk është shumë e interesuar për të rënë në sy e për t‘u shfaqur e marrë poza në publik. Deri tani ka nuk ka qenë në të gjitha mitingjet e të shoqit dhe nuk preferon që të flasë shumë. Edhe pse nuk është shumë më e madhe në moshë se Michelle Obama mund të konsiderohet si e një brezi tjetër në krahasim me të. Për sa i takon Michele Obamës ajo do të ishte një zonjë shumë më aktive. Do të ndërmerrte projekte serioze, por jo të llojit të Hilari Klintonit dhe mbi të gjitha nuk do të sillej në mënyrën e saj prepotente dhe qesharake. Michele, të paktën deri tani, nuk ka ambicie për t‘u bërë Presidente. Ajo është nëna e dy vajzave të vogla, ndaj ato janë prioriteti i saj kryesor, por ndërkohë ajo është edhe një juriste e shkëlqyer. Mishëron njëherazi stilin dhe elegancën e Jackie Kennedy dhe zgjuarsinë, gjakftohtësinë e një gruaje të suksesshme në karrierë. Në një nga fjalimet e fundit, Michelle tha se nëse do të bëhej Zonja e Parë e vendit do të merrej me zgjidhjen e problemeve të grave dhe të familjes amerikane, pasi gjatë fushatës kishte krijuar një ide të plotë mbi gjendjen aktuale të familjes në të gjithë vendin. Michelle është një grua e përsosur dhe shumë analistë e quajnë të fituar Obamën vetëm për faktin se ai ka përkrah një zonjë të tillë. Kur e pyetën kohë më parë nëse do ta mbështeste Hilari Klinton nëse ajo do të merrte mbështetjen e partisë të kandidonte në nëntor, Michelle tha në mënyrë jo diplomatike: "Do të më duhet të mendohesha mirë para se t‘i jepja mbështetjen një njeriu të tillë". Pikërisht mungesa e diplomacisë dhe thënia e gjërave troç është një nga karakteristikat e Obamës. Madje, edhe në drejtim të të shoqit ka qenë deri diku shumë kritizere. Për të ka thënë se i vjen erë goja, se ka veshë të mëdhenj, se nuk është i zoti në punët e shtëpisë, se nuk ha asgjë pa gjalpë. Nëse Barak do të fitojë në nëntor, Michelle nuk do të jetë vetëm e para zonjë me ngjyrë në Shtëpinë e Bardhë, por edhe një ndër më të rejat në moshë, duke qenë se është 44-vjeçare. Michelle mund të ketë shenjat e një revolucionareje të vërtetë, por ndërkohë ajo është një vajzë nga një familje ku rolet e gjinive kanë qenë shumë mirë të përcaktuara. Michella e di mirë që nëse Barak do të bëhet President, ajo do të jetë një bashkëshorte, por ama një bashkëshorte ndryshe. Për sa i përket Cindy-t, ajo karakterizohet nga flokët e saj që i mban gjithmonë të verdhë. Ata janë një nga fiksimet më të mëdha që ka. Nuk jeton me të shoqin, ajo qëndron më të shumtën e kohës në Arizona, ndërsa John në Washington, por është po aq e përkushtuar ndaj çështjeve të bamirësisë për të cilat kujdeset, sa ç‘është i shoqi për ato të politikës. Cindy pati një goditje në zemër në vitin 2004 dhe nuk e ka mbajtur të fshehtë mospranimin e saj ndaj vendimit të të shoqit për të provuar kandidimin presidencial. Të qenurit Zonjë e Parë nuk bën dhe nuk ka bërë kurrë pjesë në ëndrrat e Cindy-t. Kur John vendosi të garonte sërish në mesin e vitit 2006, Cindy mendoi edhe divorcin. Sipas saj ishte shumë i rëndësishëm fakti që i kishte mbijetuar shqetësimit të zemrës dhe marrja me një fushatë elektorale do të ishte një humbje kohe. Por për të shoqin, kjo ishte ëndrra e një jete të tërë. Pavarësisht se vendosi që ta mbështeste edhe në këtë përpjekje, Cindy e ruan me shumë kujdes jetën e saj personale. Mbi të dihen shumë pak gjëra ndër të cilat përmasat trupore, apo preferencat që ajo ka për ngjyrat. Publiku amerikan është i ndarë në preferencën për të dy kandidatet për Zonjë të Parë, por është krejtësisht i prerë kundër Bill Klintonit në rolin e zotit të parë, por tashmë ai është një problem i tejkaluar. Dy kandidatet, gjithsesi kanë shumë në dorë për të prezantuar një Amerikë ndryshe në arenën ndërkombëtare. Veçanërisht Michelle mendohet se do të jetë shumë efikase në një mision të tillë, kjo pasi Obamat janë shumë autentikë. Ata e dinë që janë shembuj për të tjerët, se kanë një rol model, por ky pozicion nuk i sforcon aspak. Ata nuk i bëjnë gjërat për t‘u dukur. Michelle do të bëjë gjërat që mendon se janë të drejta e jo ato që mendon se do t‘u pëlqenin të tjerëve. Dhe kjo është shumë e rëndësishme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›