Vrasësit të Remzi Salihut, 35 vjet burgim

I prangosur po futet në Gjykatë për t’u përballur me vendimin më të rëndë në jetën e tij. Është ky Gani Sahiti, vrasësi i drejtorit të Arsimit në Komunën e Prishtinës, Remzi Salihu. Ai është dënuar me 35 vjet burgim për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje. Përveç gjykatësit Hamdi Ibrahimi, askush në sallë nuk e ka thënë asnjë fjalë tjetër. Gjyqtari më pas ka arsyetuar vendimin.
Si njofton KTV-ja, gjatë procesit gjyqësor mbrojtja kishte insistuar në faktin se Gani Sahiti kishte probleme mendore, por këtë pohim e ka hedhur poshtë ekspertiza mjekësore.
Jashtëzakonisht të lartë e kanë cilësuar dënimin familjarët e Sahitit.
Pas përfundimit të seancës, nën përcjelljen e policisë, Gani Sahiti është dërguar drejt vendit ku pritet t’i kalojë 35 vjetët e ardhshëm të jetës së tij. Mëngjesin e 3 tetorit të viti 2011, ai ishte futur brenda objektit të Komunës dhe ishte futur në zyrën e ish-drejtorit të Arsimit, Remzi Salihu, duke shkrepur shtatë plumba në trupin e tij./Indeksonline/