Brukseli: “Autoritetet shqiptare parandaluan fluksin e kërkesave për azil në BE”
Autoritetet belge u kanë dërguar institucioneve shqiptare një pasqyrim grafik të azilkërkuesve nga Shqipëria ku siç thuhet në letër “konstatohet qartë një rënie e pastër e numrit të shtetasve që s’respektojnë marrëveshjen e lëvizjes pa viza”
Zyra e Bashkëpunimit Policor të Ambasadës së Mbretërisë së Belgjikës në Shqipëri i ka dërguar një letër ministrit të Brendshëm z. Bujar Nishani me anë të së cilës falënderohen autoritetet shqiptare për përpjekjet e bëra në parandalimin dhe goditjen e dukurisë së azilkërkuesve. “Falënderoj në veçanti autoritetet shqiptare për kundërveprimin në një situatë krize me azilkërkuesit. Situata të tilla ndodhin dhe mund të ndodhin kudo, por e rëndësishme është identifikimi i burimeve dhe veprimi konkret”, thuhet në mesazhin përcjellë ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani. Në letrën e nënshkruar nga këshilltari i ambasadës belge për çështjet e Brendshme, Nys Andre, thuhet se pas vizitave të zhvilluara në qershor dhe tetor të përfaqësuesve të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme për të Huajt të Mbretërisë së Belgjikës dhe reagimit të autoriteteve shqiptare efikasiteti ka prevaluar. Bashkëngjitur me letrën, Zyra e Bashkëpunimit Policor të Ambasadës së Mbretërisë së Belgjikës në Shqipëri ka dërguar edhe një pasqyrim grafik të azilkërkuesve nga Shqipëria ku siç thuhet në letër “konstatohet qartë një rënie e pastër”. Në letër shprehet bindja për vijueshmërinë e përpjekjeve dhe bashkëpunimit të ngushtë për këtë çështje shumë të ndjeshme. “Gjithsesi autoritetet belge janë të bindura se nga pala shqiptare nuk do të reshtin përpjekjet për të parandaluar dhe goditur dukurinë e azilkërkuesve nga Shqipëria dhe çdo abuzim tjetër me liberalizimin e vizave”, thuhet në letrën që autoritetet belge i dërgojnë ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani. Por, nga ana tjetër, Brukseli nuk kursen kritikat për vendet e tjera të rajonit si Serbinë dhe Maqedoninë, të cilat prej 2 vitesh janë kthyer në burim azilkërkuesish në vendet e Bashkimit Evropian. Jo më larg se 2 muaj komisionerja për Çështjet e Brendshme dhe Sigurinë, Cecilia Malmstrom paralajmëroi dy vendet në fjalë, për një pezullim të mundshëm të udhëtimit të qytetarëve të tyre në hapësirën “Schengen”.
Tanja Fajon: Shqipëria respekton rregullat e “Schengen”-it, problem janë vendet e tjera
Që disa prej vendeve të rajonit, të cilat kanë përfituar udhëtimin pa viza në hapësirën “Schengen”, nuk i respektojnë rregullat e lëvizjes së lirë, është një fakt konkret, por kjo sipas eurodeputetes sllovene, Tanja Fajon nuk vlen për të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor. “Vende si Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi, kanë fluksin më të lartë të azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Evropian, thotë ajo. Jam dakord se një mekanizëm i tillë sigurie nevojitet. Por, kam frike se në kushtet aktuale, një propozim i tillë është i dëmshëm. Ai mund të përdoret politikisht në situata që në fakt nuk do të ishin situata alarmante. Shqetësimet e mia vijojnë të tilla: Parlamenti Europian duhet të jetë më i përfshirë. Nuk mund të jetë vetëm e drejtë e Komisionit dhe e vendeve anëtare për të vendosur mbi përdorimin e kësaj klauzole sigurie. Një tjetër shqetësim përbën përqindja. Ky nivel, për situatat që nuk përbëjnë alarm në të vërtetë, është tepër i ulët. Unë mendoj se më mirë do të ishte t’i hiqnim fare përqindjet. Është mirë që vendet me regjim të lirë vizash t’i njohin rregullat. Ata nuk duhet të abuzojnë ndaj rregullave. Por, në anën tjetër, ne si institucione duhet të kemi të drejtën për t’u shprehur se kur një situatë është vërtet alarmuese”, u shpreh ish-raportuesja për vizat në PE, Tanja Fajon. Raportuesi aktual në Komitetin e Jashtëm të Parlamentit Evropian, Andrey Kovatchev argumenton se ky mekanizëm po ngrihet për çështje sigurie dhe jo për t’u përdorur. “Është një mekanizëm sigurie i mundshëm dhe ne shpresojmë se nuk do të përdoret, por vendet anëtare kërkojnë që një mekanizëm i tillë sigurie të ekzistojë, për të bërë që ata vetë të kenë besimin që ne mund të vijojmë me procesin e liberalizimit të vizave edhe me vendet e tjera, por në raste emergjente, do të kishim një mekanizëm të tillë për të rivendosur përkohësisht vizat, është i rëndësishëm termi ;përkohësisht’, ndaj një vendi të veçantë, për të cilin kanë shqetësim disa vende anëtare për rritjen e mundshme të fluksit të emigranteve, apo për ndonjë keqpërdorim tjetër të regjimit pa viza”, tha ai.
...