E Diel, 1 Nëntor 2026

Trajtim me përparësi të persekutuarat gra nga 70 vjeç dhe burrat nga 75 vjeç

21-03-2012 / Gazeta 55

Komisioni i Ligjeve miraton ndryshimin e projektligjit për të përndjekurit

Komisioni parlamentar i Ligjeve ka miratuar ndryshimin e moshës së ish-të përndjekurve politikë, të cilët trajtohen me përparësi për sa i përket përfitimit të shpërndarjes së dëmshpërblimit financiar. Në projektligjin e propozuar nga Ministria e Drejtësisë, parashikohej që ish-të përndjekurit me moshë mbi 85 vjeç, trajtohen me përparësi, duke marrë dëmshpërblimin e plotë me dy këste, brenda një viti nga hyrja në fuqi e ligjit.
“Ligjet shoqërohen me një kosto financiare të saktë. Qeveria ka ardhur me një kosto financiare, nuk është diskutim parimor, por është diskutim i teknikës legjislative. Nëse ne do të hapim dhe një herë kategorinë, do të thotë që duhet të aplikojmë dhe njëherë ndryshime në buxhetin e miratuar tashmë”, tha Brikena Kasmi, zëvendësministre e Drejtësisë.
Ndërkohë që me ndryshimin e bërë, do trajtohen me përparësi ish-të persekutuarat gra me moshë nga 70 vjeç dhe ish-të persekutuarit burra, me moshë 75 vjeç.
Amendamenti i propozuar nga deputeti demokrat Fatos Hoxha, u mbështet përveç deputetëve të mazhorancës, edhe nga deputeti socialist Bashkim Fino, ndërkohë që të tjerët abstenuan.
“Ka një fond të miratuar tashmë dhe gjatë rrugës ngrihen dhe institucione të tjera, dhe mund të merren dhe të përdoren sipas ligjeve që miraton maxhoranca apo dhe Parlamenti. Kështu që nuk ka asnjë ngërç financiar nëse ne e miratojmë këtë në Parlament”, tha Bashkim Fino, deputet i PS.
Ligjvënësit kanë debatuar mbi propozimin e Ministrisë së Drejtësisë, sipas të cilit ndryshohet periudha për përfitim dëmshpërblimi financiar. Në ligjin aktual, kjo periudhë është 30 Nëntor 1944 deri në 1 tetor 1991. Sipas propozimit, do të përfitojnë të gjithë ata të persekutuar duke filluar nga 25 tetori 1944, datë e themelimit të qeverisë së Beratit. Por kjo pikë solli debate mes komisionerëve.
Ndërkohë, personat që janë dëmshpërblyer një herë do të përfitojnë vetëm pjesën e mbetur të parave. Ndërsa ata dokumentacioni i të cilëve po përpunohet ende në Ministrinë e Drejtësisë, do të përfitojnë këstin e parë brenda 3 muajve nga miratimi i kërkesës për dëmshpërblim.
Pas diskutimeve, Komisioni i Ligjeve ka miratuar me votën e mazhorancës ndryshimet në ligjin për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politike, ndërkohë që opozita abstenoi. Qëndrimi i opozitës në Komisionin e Ligjeve, vjen në kundërshtim me deklaratat e lidershipit socialist, sipas të cilit Partia Socialiste duhet të ketë një qasje tjetër me të persekutuarit e regjimit komunist.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›