Brukseli: Mafia s’ka vend në Evropë, Rama të pranojë humbjen e të futet në parlament

Sekretari i shtetit francez ka folur dje troç, në emër të demokracisë që përfaqësojnë Franca, Gjermania, Italia, Britania dhe BE-ja se mafia e Shqipërisë po pengon integrimin e vendit, prandaj duhet që opozita të pranojë humbjen e dalë nga zgjedhjet demokratike, të futet në parlament dhe të mos sjellë më tej një destabilizim të vendit
“Opozita duhet të respektojë principet bazë të demokracisë. KQZ ka certifikuar zgjedhjet, rezultati duhet të pranohet gjerësisht nga të gjithë faktorët politikë. Edhe opozita në këtë vend duhet të jetë pjesë e këtij kompromisi”. Kështu u shpreh dje Sekretari francez i Shtetit i ngarkuar për Çështjet Europiane, Pierre Lellouche, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin Sali Berisha, pas një takimi të zhvilluar në mesditë. Zyrtari i lartë francez i apeloi palës opozitare që t’i japë fund bojkotit dhe të rifillojë jeta parlamentare në Shqipëri. “Opozita t’i japë fund bojkotit në mënyrë që jeta parlamentare t’i kthehet normalitetit. Më duhet të theksoj se principi bazë i demokracisë është që kur procesi zgjedhor përfundon dhe KQZ certifikon zgjedhjet, rezultati duhet të pranohet. Kështu fituesi merr pushtetin dhe pala tjetër mbetet në opozitë. Tjetër parim bazë është edhe pranimi i ndryshimit të pushteteve, por nëse kjo nuk ndodh nuk mund të flitet më për demokraci, por për regjim totalitar. Sigurisht demokracia mund të mos jetë perfekte, por kur ka kundërshtime rregullohet nga drejtësia e dialogut politik. Apeli im vjen pasi është në interes të Shqipërisë e procesit të integrimit që pozita dhe opozita të bëjnë debat politik në sallën e kuvendit”, u shpreh Sekretari francez për çështjet evropiane, Lellouche. Zyrtari francez mbylli fjalën e tij duke u shprehur se do të ishte shumë i lumtur nëse shumë shpejt jeta parlamentare në Shqipëri do të jetë normale dhe t’i jepet fund situatës anormale të bojkotit të Kuvendit. Ndërsa nga ana e tij kryeministri Sali Berisha deklaroi se është i hapur për dialog me opozitën për të zgjidhur krizën. “Dua të garantoj ministrin Pierre Lellouche dhe qeverinë franceze se mbetem shumë i hapur për një bashkëpunim me opozitën në të gjitha reformat e mëdha. I kam ofruar të hartojë të gjithë amendamentet e sugjeruar nga OSBE/ODIHR për zgjedhjet e ardhshme dhe se çdo problem, dokument, fakt që ka për zgjedhjet e shkuara le t’i paraqesë para Prokurorisë, organit të drejtësisë. Ajo çka unë nuk imagjinoj dot, dhe nuk imagjinon asnjë qytetar i lirë në Europë apo në botë është që një politikan të marrë në duart e tyre vendimet gjyqësore”, u shpreh kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha. Apeli i ndërkombëtarë ndaj opozitës dhe kreut të saj Edi Rama po njeh gjithmonë e më shumë dimensione të reja, teksa në prag të zhvillimeve madhore të integrimit të vendit në BE, Partia Socialiste vazhdon të bojkotojë pa afat punimet e Kuvendit të Shqipërisë. Përfaqësues të lartë të Brukselit dhe të politikës evropiane nuk pajtohen me qëndrimin e pajustifikueshëm të PS, për sa kohë zgjedhjet janë certifikuar nga KQZ dhe nga gjykatat, e në këtë rast palëve nuk u mbetet gjë tjetër, veçse të pranojnë rezultatin e njëra palë të qeverisë vendin, e tjera të luajë rolin e opozitës. Integrimi i Shqipërisë në BE, Pierre Lellouche garanton mbështetje Sekretari francez i Shtetit për Çështjet evropiane, Pierre Lellouche, jep garancinë e vendit të tij për mbështetje të pa kursyeshme në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Sali Berisha, përfaqësuesi i lartë i qeverisë franceze theksoi se “një ditë edhe Shqipëria do të jetë anëtare e BE-së, Franca e mbështet plotësisht këtë”. Pyetje-Prisni që dialogu politik të zhvillohet brenda Parlamentit? Përgjigje- Po, sigurisht. Shpresoj qe kjo situate e bojkotit dhe e debatit jashte parlamentit te marre fund sa me shpejt te jete e mundur. E thashe edhe pak me pare se parimi baze i demokracise eshte pranimi i ndryshimit te pushteteve. Kur humbim zgjedhjet dhe kur keto zgjedhje jane te vlefshme, atehere kalohet ne opozite. Kur i fitojme, marrim pushtetin. Eshte shume e rendesishme te kuptohet se i gjithe sistemi demokratik bazohet mbi idene qe, qe me perpara duhet te pranosh rezultatin e zgjedhjeve. Nese nuk e pranojme rezultatin, nuk pranojme demokracine. Eshte shume interesante, sepse une doja ta takoja zotin Rama per te kuptuar pozicionin e tij dhe me tha se ai e kishte pranuar vlefshmerine e zgjedhjeve. Pra, nëse pranohen zgjedhjet, nuk e kuptoj pse nuk shkon ne parlament?! Dhe nese ka mosmarrveshje, qofshin keto edhe mosmarreveshje personale, e rendesishme eshte qe ne demokraci te komunikojme me njeri-tjetrin, te kete dialog, dhe parlamenti eshte vendi i dialogut. Pyetje- Nuk morëm një përgjigje kur ngritëm pyetjen që Rama e njeh rezultatin, por nuk hyn ne parlament? Pergjigje- Jo. Nuk e kuptova logjikën e tij. Nuk dua te përzihem ne punet e brendshme te Shqiperise. Vetem ne nje pike. Ju jeni kandidate per ne Bashkimin Europian. Pjesa me e madhe e shqiptareve duan te jene ne Europe. Ne kemi pranuar ta çojmë kete kandidature ne Komisionin Europian, pra ne, shtetet anetare nuk mund te pranojme ne Bashkimin Europian vecse vende qe pranojne demokracine. Kushti minimal eshte nje sistem demokratik qe funksionon, nje sistem qe nuk duhet marre peng per shkak te llogarive te politikes se brendshme. Kjo eshte ajo qe une doja te theksoja, sepse ju jeni nje vend qe keni kandiduar dhe ne do te ekzaminojme kete kandidature. Te tjerat ju takojne ju. Por europianet kur te pranojne nje dite Shqiperine, do t’ju pranojne si nje shtet demokratik, si nje shtet i se drejtes dhe me rregulla demokratike. Korrupsioni, mafia etj, nuk jane te pranueshme per BE. Me falni qe jam kaq i drejtpërdrejtë ne pergjigjen time, por eshte shumë-shumë e rëndësishme. BE eshte nje klub i vendeve demokratike”. Nga ana tjetër, kryeministri Sali Berisha tha se Shqipëria do të realizojë çdo reformë me qëllim plotësimin e standardeve për integrimin e shpejtë të vendit në BE. Me sekretarin e Shtetit francez për Çështjet Evropiane zotin Pierre Lellouche, mik i shquar i Shqipërisë dhe kombit shqiptar, kemi diskutuar gjerësisht mbi marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale që ekzistojnë ndërmjet Shqipërisë dhe Francës dhe përpjekjet e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian”, u shpreh kryeministri. Pierre Lellouche Jozefina Topalli: “Franca në krahun tuaj për përshpejtimin e integrimit”/“Franca është në krahun tuaj dhe ju shpreh vullnetin e qeverisë franceze për të përfunduar sa më shpejt procesin e integrimit të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh dje Pierre Lellouche, sekretari francez i shtetit për çështjet europiane në takimin me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Duke shprehur mirënjohjen për gjithë mbështetjen e shtetit dhe popullit francez, Kryetarja e Kuvendit falënderoi zotin Lellouche për mesazhet e tij publike në vlerësim të progresit të Shqipërisë dhe për domosdoshmërinë e dhënies fund të bojkotit. Lellouche shprehu kënaqësinë për nivelin e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe dy parlamenteve dhe uroi zonjën Jozefina Topalli për rizgjedhjen e saj, duke vlerësuar se politika jo vetëm shqiptare por edhe ajo europiane, ka nevojë për gra në politikë. Kryetarja e Kuvendit e cilësoi si shumë inkurajuese dinamizmin e politikës së BE-së që synon integrimin e plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2014. Shqipëria, tha Topalli, ndodhet në momente të saj historike në proceset integruese. “Pas anëtarësimit në NATO, ne morëm nga 27 qeveri të BE-së mbështetjen për statusin e vendit kandidat. Po ashtu para pak javësh, Parlamenti Europian miratoi rezolutën, ku pasi vlerësohen arritjet në zgjedhjet fundit, propozohet që Shqipëria të hyjë në listën shenjen menjëherë sapo të plotësojë detyrimet e mbetura, duke i hapur rrugë liberalizimit në korrik 2010”, u shpreh kryetarja e kuvendit, duke i cilësuar këto vendime ndërkombëtare si një përgjigje e progresit të pandalshëm të Shqipërisë. Kryeparlamentarja Topalli theksoi angazhimin maksimal të parlamentit dhe institucioneve shqiptare për të përshpejtuar reformat.
...