“PS-ja, peng i trashëgimisë, nga e cila nuk mund të shkëputet dot”
Intervistë e posaçme e Kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha, dhënë për “Dojçe Velen”, menjëherë pas përfundimit të Kongresit të Partive Popullore Evropiane, mbajtur në Bon të Gjermanisë
Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha qëndroi për vizitë në Gjermani ku mori pjesë në kongresin e Partive Popullore Evropiane. Në qendër të takimeve që zhvilloi Berisha në kuadër të këtij aktiviteti, ishte prezantimi i arritjeve të Shqipërisë në lidhje me detyrimet për procesin e përafrimit dhe të integrimit në BE, problemi i liberalizimit të regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë si dhe problemi i bojkotimit të parlamentit dhe të mitingut të 8 dhjetorit nga opozita shqiptare. Në një takim që pati me Kancelaren gjermane Angela Merkel, Kryeministri Berisha përsëriti ftesën për një vizitë të saj vitin e ardhshëm në Shqipëri.
Zoti Berisha, ju shikoj që dilni me shume buzëqeshje nga ky kongres dhe besoj se kjo është edhe mënyra më e mirë, për të shprehur atë që ju keni arritur gjatë këtyre takimeve?
Unë shfrytëzoj intensivisht, pjesëmarrjen në Kongresin dhe Samitin e Partisë Popullore Europiane, ku janë të gjithë kryeministrat e vendeve anëtare të BE-së, që qeverisen nga qendra e djathtë, ndër të cilët më kryesorja, Kancelarja Merkel, për të paraqitur ët gjitha zhvillimet në Shqipëri, për të kërkuar mbështetje për procesin e integrimit dhe konkretisht me Kancelaren Merkel, atë bisedë të shkurtër që zhvillova, ia përkushtova vizitës së saj të ardhshme në Shqipëri. Kancelarja Merkel, gjatë mandatit të shkuar, më ka premtuar në mënyrë të përsëritur se do të vizitojë Shqipërinë. Kësaj radhe Kancelarja Merkel më premtoi në mënyrë të prerë dhe kam bindje se ajo e mban fjalën, se vitin e ardhshëm do të vizitojë Shqipërinë.
Gjithë Europa feston tani epokën e kthesave dhe vitin e ardhshëm është për Shqipërinë një vit jubilar, për kthesat e zhvilluara. Në datën 8 dhjetor ju zhvilluat një miting. Mund të na thoni diçka rreth këtij mitingu, që për fat të keq, nuk u përkrah nga opozita?
Ky miting, siç mund ta keni ndjekur, ishte më madhështori në historinë e Shqipërisë. Unë kam mbetur me një ndjenjë mirënjohje të pakufishme ndaj atyre gjysmë milioni qytetarëve shqiptarë, që lanë çdo gjë për të festuar ditëlindjen e lirive të tyre. Mitingu ka mbushur ekranet e mediave më prestigjioze në botë, faqet e gazetave më të mëdha dhe kjo u bën nder, mbarë shqiptarëve. Mitingu u bojkotua, siç mund te keni konstatuar, me gjithë ftesën, nga krerët aktualë të kryesisë së PS-së, madje në mënyrën më absurde u shpall si një antimiting, apo u bënë gjeste të tjera të turpshme, të paprecedentë, u mbushën në prag të tij, rrugët e kryeqytetit me plehra, nga vetë kryetari i bashkisë. Sidoqoftë,këto gjeste, nuk e zbehin aspak madhështinë e mitingut, mendoj se dëshmoi për rrugën e gjatë që ende ka për të bërë, kryesia e PS-së, për tu gjetur në ato pozicione, sepse e majta europiane e festoi përvjetorin e rënies së murit të Berlinit, ndonëse pa diskutim kjo është një meritë e qendrës së djathtë europiane, e atyre që ndërtuan Europën, por të majtët ishin të pranishëm në Berlin me Kancelaren dhe me udhëheqësit e tjerë kryesorë të Perëndimit. Këtu munguan të majtët shqiptarë, që me sa duket, për shkak edhe të trashëgimisë nga e cila nuk shkëputen dot, nuk mund të merrnin pjesë. Sidoqoftë, 20-vjetori po vjen. Do ta festojmë dhe sërish ne i ftojmë. Ne shohim përpara.
Pas thirrjeve që bëri sërish Olli Rehn, çfarë mesazhesh erdhën nga ky kongres, në drejtim të opozitës shqiptare, e cila vazhdon të bojkotojë Parlamentin?
Nga ky Kongres, nga çdo personalitet që unë kam takuar, në mënyrë absolute, nuk ka qenë as edhe një i vetëm, që të pranojë kërkesën e opozitës për hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave, mbasi aty ka një vendim gjykate. Oferta tjetër që unë ua parashtrova të gjithë bashkëbiseduesve, është, “urdhëro të krijojmë komisionin hetimor parlamentar, t’ju japim shumicën, hetoni të gjithë problemet e tjera, përveç atyre, për të cilat është shprehur dhe ka vendosur gjykata, hartoni të gjitha amendamentet mbi rekomandimet në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të jenë edhe më të mira. Këto ishin më të mirat që kemi bërë. Të tjerat, sërish të jenë më të mirat që kemi bërë dhe të përmirësojmë më tej procesin zgjedhor.
Për sa i përket problemit të vizave dhe liberalizimit të tyre. Kur mund të pritet kjo gjë, çfarë sinjalesh keni marrë?
Kam marrë garanci të plotë, për mbështetje të plotë dhe totale për këtë proces, sikurse kam garantuar bashkëbiseduesit e mi, se ne po bëjmë çdo gjë për të përmbushur me përpikëri, detyrimet që rrjedhin nga ky proces.
Ju do të jeni javës tjetër edhe në Kopenhagë. Çfarë po bën Shqipëria në drejtim të klimës dhe në drejtim?
Në Kopenhagë, unë do të paraqes “Green Albania”, paraqes Shqipërinë jeshile, paraqes revolucionin industrial jeshil të Shqipërisë. Shkoj ballëhapur sepse ne, për momentin jemi vendi me energjinë më të pastër në rajon dhe Europë dhe do të vazhdojmë me vendosmëri në këtë drejtim. Natyrisht unë nuk mund të them se do të përjashtohen forma të tjera të energjisë, por do ti jepet përparësi maksimale, energjisë së rinovueshme.