Trualli te Parku “Rinia” - qeveria miraton vendimin për anulimin e shitjes së tij
Qeveria e kalon në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Punëve Publike truallin që është shndërruar në objekt të megavjedhjes së Edvinit dhe biznesmenit-klient të tij. Inspektoriati i Ndërtimit pritet të marrë masat e para bllokuese, të cilat mendohet të shkojnë deri tek sekuestrimi
Qeveria miratoi dje vendimin për kalimin në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit të sipërfaqes së truallit të Parkut Rinia, në Tiranë. Duke folur për këtë vendim, kryeministri u shpreh se ai shfuqizon vendimin me të cilin është përvetësuar toka publike, në zemër të Tiranës, jashtë çdo lloj kompetence të Këshillit Bashkiak.
“1350 metër katrorë tokë janë përvetësuar me një çmim qesharak në një kohë kur toka nuk ka qenë private, në një kohë kur toka nuk ka qenë pronë e Bashkisë së Tiranës, por tokë publike, pronë e shtetit, për të cilin përgjegjëse direkt është qeveria qendrore. Në regjistrimin e pronave që është bërë në vitin 2006 Agjencia e pronave përcakton se kjo është një tokë publike, jo në autoritetin e Bashkisë së Tiranës. Sidoqoftë toka i kalon Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit”.
Duke siguruar qytetarët se qeveria do të ndërhyjë me vendosmëri absolute për çdo metër katror tokë publike të marrë në mënyrë të paligjshme, kryeministri kërkoi nga ekspertët anulimin e vendimit të paligjshëm.
“Unë garantoj qytetarët se qeveria do të ndërhyjë me vendosmëri absolute për çdo metër katror publike të marrë në mënyrë të paligjshme nga cilido qoftë, pavarësisht nga asnjë lloj përkatësie apo orientimi. Toka publike është tokë publike. Ka një ligj që përcakton. Kurse në rastin konkret është marrë kompetenca e qeverisjes qendrore, ç’ka s’mund të ndodhë kurrë përveçse babëzia ka bërë atë që bënë”, u shpreh kryeministri.
Qeveria zgjeron përgjegjësitë dhe detyrat e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik/Qeveria miratoi dje vendimin për disa shtesa në ligjin “Për inspektimin e ndërtimit”, ku i jepen kompetenca të plota për ndërhyrjen me emergjencë, Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, duke krijuar në këtë mënyrë një forcë të ndërhyrjes së shpejtë pranë inspektoratit. Kryeministri u shpreh se kjo bëhet para së gjithash dhe mbi të gjitha për të mbrojtur jetën e qytetarëve shqiptarë. “Ajo që ndodhi në pallatin e Gjirokastrës, për shkak të papërgjegjësisë të autoriteteve vendore apo të tjera, mund të përsëritet në këtë vend periodikisht. Ndërtimi mbi rrugë dhe mbi oborre shkollash mund të përsëritet për shkak të babëzisë etj”, deklaroi kryeministri.
Duke theksuar se kjo situatë nuk mund të tolerohet më tej, kryeministri bëri të ditur se qeveria do të autorizojë inspektoratin për ndërhyrjet më të fuqishme, më energjike. “Lëkundet pallati me 9 kate mbi leje. E sheh Bashkia dhe në vend që të marrë masa për ta prishur dhe për të garantuar jetën thotë është dhe një pallat tjetër diku tjetër. Unë nuk them se nuk është, por në mënyrë absolute ndërtim që të kërcënojë këta qytetarë në mënyrën më evidente nuk do të lejohet, por do të rrafshohet. Këtu nuk do të ketë më asnjë tolerim. Ndaj dhe ky ligj është bërë i domosdoshëm”, u shpreh Berisha.
Kryeministri bëri të ditur se janë të shumtë qytetarët shqiptarë të cilët të inkurajuar nga kjo përpjekje e qeverisë kërkojnë me çdo kusht të veprohet, pasi është cenuar seriozisht siguria e tyre.
Duke lexuar mesazhin e një qytetari, të cilit i cenohej siguria e jetës, shefi i ekzekutivit u shpreh se inspektorati qendror do të ndërhyjë energjetikisht, në të gjitha rastet kur shkelen kondicionet urbanistike, dhe kur kërcënohet siguria publike.
“Nuk jam që ne t’i heqim kompetencat inspektoratit lokal, por jam që çështjet e sigurisë publike janë dhe do të jenë përparësi absolute e qeverisë. Ndaj dhe nuk mundet në asnjë mënyrë që të luhet më tutje, nuk mundet në mënyrë kategorike që të ndërtohen pallate mbi rrugë. Nuk është vetëm një. Ju garantoj se janë të tjera. Më kanë ardhur shumë mesazhe nga qytetarët. Ata janë të inkurajuar nga kjo përpjekje e jona dhe kërkojnë me çdo kusht të veprohet, sepse përndryshe nuk kemi asgjë të sigurt”, nënvizoi kreu i qeverisë.
Ky ligj do të kalojë me përparësi në Parlament, në mënyrë që inspektorati qendror të ndërhyjë në të gjitha rastet kur shkelen kondicionet urbanistike, dhe kërcënohet siguria publike