Kryeministri Berisha viziton sot Vatikanin, takim historik me Atin e Shenjtë, Benediktin e XVI

Kryeministri Sali Berisha niset sot për një vizitë në Vatikan, ku do të ketë një audiencë të posaçme Papa Benediktin e XVI. Kreu i qeverisë lajmëroi disa ditë më parë për këtë vizitë, duke shtuar se do të marrë pjesë në audiencën që do të ketë në Vatikan me Atin e Shenjtë. Kjo është hera e dytë që Papa Benedikti i XVI pret në një takim të veçantë kreun e qeverisë shqiptare, Sali Berisha. Vendi ynë ka nënshkruar para disa vitesh një marrëveshje të veçantë për mbrojtjen e pronave dhe të interesave të Selisë së Shenjtë në Shqipëri, ndërkohë që kjo marrëveshje pritet të shoqërohet edhe me një kuadër ligjor, që do të ndihmojë rilindjen shpirtërore. Kryeministri Berisha ka qenë mikpritësi i paraardhësit të Benediktit XVI, Papa Gjon Palit të Dytë, me 25 mars 1993, në vizitën e parë apostolike të një kreu të Selisë së Shenjtë, në Shqipëri, në tokën që pranoi Lajmin e Mirë, që në shekullin e parë, gjatë udhëtimit të Apostullit Pal në Iliri, udhëtime që citohen edhe në Bibël. Kryeministri Sali Berisha, i cili gjatë vizitës së tij do të shoqërohet edhe nga zonja Liri Berisha, do të pritet në audiencë të posaçme, nga Ati i Shenjtë, në orën 11, ndërkohë që më pas do të ketë një takim zyrtar edhe me sekretarin e shtetit të Vatikanit, Kardinal Tarcizio Bertone.
...