E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brukseli: Reforma Zgjedhore të vijë në parlament, të respektohet konsensusi i arritur

Përfaqësues të Komisionit Evropian kanë reaguar për herë të parë në rrugë zyrtare për grevën e deputetëve të disa grupeve parlamentare të opozitës, duke mbështetur parimin e debatimit të Kodit Zgjedhor në seancë plenare, në mënyrë urgjente dhe nën shembullin e konsensusit me të cilin kaloi edhe normativa kushtetuese për ligjin zgjedhor proporcional

Komisioni Evropian ka vlerësuar dje se Kodi i ri Zgjedhor në Shqipëri duhet të miratohet sa më shpejt dhe se ai duhet të jetë, në mënyrë që zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 të mos kontestohen nga askush. Për Komisionin Evropian, përbërja e komisioneve zgjedhore, duhet ët jenë pjesë e debateve politike në Parlament, ndërsa nuk ka ndërhyrë në komentet e mundshme të detajeve teknike të Kodit të ri Zgjedhor, që është në fazën e diskutimit dhe miratimit. Qëndrimin e tij Komisioni Evropian, e shprehu nëpërmjet Christiane Hohmann, zëdhënëses së komisioneres për marrëdhëniet me jashtë, Benita Ferrero Valdener. “Ju e mbani mend se Komisioni Evropian ka mirëpritur klimën e dialogut mes partive kryesore politike që çoi në miratimin e një sistemi të ri zgjedhor në Shqipëri. Dhe ne presim miratimin e këtij kodi zgjedhor gjithëpërfshirës dhe transparent që do të mundësojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është këndvështrimi ynë që ky kod të miratohet sa më shpejt të jetë e mundur dhe që të mundësojë që procesi i zgjedhjeve të zhvillohet nën kushtet e besimit ne mes të të gjitha partive politike, në mënyrë që zgjedhjet por edhe rezultati i zgjedhjeve të mos kontestohet”, u shpreh Hohmann. Ndryshe nga herët e tjera Komisioni Evropian nuk ka komentuar mbi grevën e deputetëve dhe kryetarë të disa partive të vogla në Parlament, dhe as mbi detajet teknike të Kodit Zgjedhor që sollën në këtë situatë. Mesazhi i Komisionit synon vetëm mbarëvajtjen e procesit madhor të zgjedhjeve zgjedhor. “Ne nuk synojmë të ndërhyjmë në bisedimet e brendshme teknike që po zhvillohen aktualisht në Parlamentin shqiptar për sa i përket përbërjes së Komisioneve zgjedhore. Përbërjet duhet të jenë subjekt të një debati të hapur në Parlament në mes të gjitha partive politike. Dhe Parlamenti është vendi i duhur për debatin dhe për ushtrimin e influencës demokratik”, deklaroi më tej Christiane Hohmann, zëdhënëses së komisioneres për marrëdhëniet me jashtë, Benita Ferrero Valdener.
Ambasadori britanik në Tiranë, Frazer Uillson: “E rëndësishme vazhdimi i reformave dhe jo pengimi i tyre”/Grevën e disa deputetëve të partive të vogla parlamentare e ka komentuar dje edhe ambasadori britanik në Tiranë, Frazer Uillson. Sipas tij, e rëndësishme është që reformat të mos pengohen. Sipas diplomatit britanik, Shqipëria është në një demokraci të maturuar, që duhet të ketë përparësi përmbushjen e reformave. “Unë nuk dua të bëj asnjë koment rreth kësaj nisme, por dua të them se Shqipëria është një demokraci e maturuar. Kur them këtë kam parasysh se është e nevojshme çuarja përpara e reformave që janë në dobi të zhvillimit dhe jo te pengimi i tyre. Shqipëria po zhvillohet tashme dhe nuk është në dorë të komunitetit ndërkombëtar t'i thotë asaj se çka duhet të bëjë, deklaroi Uillson duke shtuar se, shpresoj që greva e deputetëve të gjejë një zgjidhje sa më parë”.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›