E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagon Konferenca e Kryetarëve për grevën e urisë të disa deputetëve. Kundërreagojnë grevistët e urisë

Parlamenti kërkon lirimin e sallës së Kuvendit, e konsideron grevën si mjet për të ushtruar presion politik

Kryetarët e grupeve parlamentare vërejtën se, në procesin e reformave është synuar të përfshihen të gjitha forcat politike dhe se deri tani të gjitha hapat e reformës elektorale janë arritur me konsensusin më të madh të mundshëm. Por procesi nuk mund të pengohet nga askush. Konferenca e Kryetarëve vlerësoi gjithashtu se greva e urisë është një mjet i njohur sensibilizimi publik, por kurrsesi mjet legjitim për të ushtruar presion politik. Duke shprehur bindjen se çdo tentativë për të bllokuar funksionimin e parlamentit është i papranueshëm, Konferenca e Kryetarëve fton deputetët grevistë të respektojnë rregullat e demokracisë, ligjet e shtetit dhe rregulloren e parlamentit.

Konferenca e Kryetarëve, ju ka kërkuar dje, deputetëve grevistë ët urisë, të lirojnë sallën e seancave plenare të Kuvendit dhe të zhvendosin grevën e tyre në një ambient tjetër. Për anëtarët e Konferencës së Kryetarëve, Parlamenti ende është institucioni i reformave dhe se debati për Kodin Zgjedhor ende nuk është mbyllur.
Greva e urisë së disa deputetëve në sallën e seancave plenare, ka qenë objekti i mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve ët thirrur dje nga Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.
Në përfundim të mbledhjes, Konferenca e kryetarëve doli me një deklaratë ku shprehte shqetësimin për faktin që grevistët po e zhvillojnë grevën në kushte të papranueshme edhe për shëndetin e tyre, ndaj i fton ata t’i bëjnë thirrje arsyes dhe përgjegjshmërisë së tyre politike.
Për këtë arsye, Konferenca e Kryetarëve u shpreh se duhet të kërkohen mjedise të tjera të përshtatshme. Konferenca vlerësoi se Parlamenti është institucioni kryesor i kryerjes së reformave dhe se ai është vendi i vetëm i diskutimit dhe i debatit politik. Procesi është ende i hapur në komisionin parlamentar të reformës zgjedhore. Kryetarët e grupeve parlamentare vërejtën se, në procesin e reformave është synuar të përfshihen të gjitha forcat politike dhe se deri tani të gjitha hapat e reformës elektorale janë arritur me konsensusin më të madh të mundshëm. Por procesi nuk mund të pengohet nga askush.
Konferenca e Kryetarëve vlerësoi gjithashtu se greva e urisë është një mjet i njohur sensibilizimi publik, por kurrsesi mjet legjitim për të ushtruar presion politik. Duke shprehur bindjen se çdo tentativë për të bllokuar funksionimin e parlamentit është i papranueshëm, Konferenca e Kryetarëve fton deputetët grevistë të respektojnë rregullat e demokracisë, ligjet e shtetit dhe rregulloren e parlamentit.
Në përgjigje të kërkesës së Konferencës së Kryetarëve, kanë reaguar grevistët. Zëdhënësi i grevës së urisë, deputeti i LSI-së Dritan Prifti deklaroi se dy partitë kryesore po përgatisin skenarin për të përzënë me dhunë deputetët e ngujuar, në mbrojtje të të cilëve ai kërkoi që qytetarët të kundërpërgjigjen. “Nesër (sot) në orën 10.00 në kohën që do të jetë seanca plenare, të mblidhen gjithë qytetarët e Tiranës dhe gjithë qytetarët e Shqipërisë që kanë shqetësim për votën e lirë, të mbrojnë deputetet që janë në Kuvend, nëse do të ketë ndonjë skenar dhune nga shteti për t'i mbrojtur ata dhe për të mbrojtur të drejtën e tyre legjitime që e njeh gjithë bota me standardet shqiptare dhe ndërkombëtare, të drejtën e tyre legjitime për të bërë një grevë urie në vendin që ato zgjedhin ta bëjnë”, tha Prifti. Në vijim të këtij qëndrimi, 11 deputetët kanë firmosur një deklaratë, ku shprehet vendosmëria për të mos dalë nga salla e parlamentit, pavarësisht nesër sipas programit është seanca plenare e radhës.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›