E Shtunë, 31 Tetor 2026

Synohet një ballkanas, Katanec i pari në listë

 

Jetmir Halilaj

Gjatë orëve të fundit, Federata Shqiptare e Futbollit ka shpeshtuar bisedimet me ish-trajnerin e Maqedonisë, Sreçko Katanec. Trajneri slloven është i preferuari i presidentit Armand Duka, i cili mësohet se gjatë ditëve të fundit ka zhvilluar edhe një bisedë nëpërmjet telefonit me 46-vjeçarin. Ndërsa, Katanec ka deklaruar para disa ditësh se nuk ka ndërmend të trajnojë më skuadra përfaqësuese në Ballkan, por nuk përjashtohet mundësia, që slloveni të bëjë “naze” në fillim, me qëllim që të rrisë çmimin dhe të përfitojë sa më shumë.
Ballkanas
Sipas të gjitha gjasave, trajneri i ardhshëm i Shqipërisë do të jetë ballkanas. Burime të sigurta nga federata bëjnë të ditur se synohet që në krye të kuqezinjve të vijë një teknik ballkanas, pasi ata e njohin më mirë mentalitetin dhe mënyrën tonë të të luajturit futboll. Shembulli më i mirë ishte kroati Oto Bariç, nën drejtimin e të cilit përfaqësuesja shqiptare jo vetëm që arriti të merrte rezultate të mira, por u formua edhe një grup solid lojtarësh. Ish-trajneri i Shqipërisë ka shprehur hapur dëshirën për të rimarrë drejtimin e kuqezinjve, por zor se ka gjasa që kjo të ndodhë.
Bisedimet
Këtë javë pritet që të zgjidhet trajneri i ri. Sot dhe nesër, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, me shumë mundësi do të udhëtojë drejt Vjenës, ku do të takohet me menaxherët e disa trajnerëve. Një ndihmë Dukës, për zgjedhjen e trajnerit të ri, do t’i japë edhe miku i tij, avokat Skënder Fani, i cili jeton në Austri. Mësohet se Duka i ka kërkuar atij që të fokusohet më tepër te trajnerët ballkanas, të cilët kanë gjithashtu mundësinë ta vizitojnë më shpesh Shqipërinë dhe të kalojnë më tepër kohë në vendin tonë. Përveç kësaj, ndryshe nga italianët, gjermanët apo holandezët, trajnerët ballkanas “kushtojnë” më pak. Pra, kërkesat e tyre financiare janë ndjeshëm më të ulëta se homologët e tyre perëndimorë.
Problemi
Ata dëshirojnë që trajneri i ardhshëm të mund të qëndrojë në Shqipëri një pjesë të madhe të kohës, por ky duket një kusht i papranueshëm për pjesën dërrmuese të trajnerëve të huaj. Përveç kësaj, federata pohon se qëndrimi i tyre në Shqipëri për pjesën dërrmuese të kohës është edhe një sforcim i madh financiar. Në këtë mënyrë, FSHF do të duhej të paguante qiranë, dritat, ujin dhe shpenzime ekstra për trajnerin dhe familjen e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›