Tre persona në pranga për trafik klandestinësh
SARANDE/PERMET - Tre persona u ndaluan dje për trafik klandestinësh në Sarandë e Përmet. Ata shfrytëzonin rrugët ilegale për të dërguar në Greqi kundrejt pagesës të interesuarit. Policia e Sarandës bëri dje të ditur se kishte siguruar informacionin se dy persona, një nga Tirana e një tjetër banor i fshatit Shëndëlli po ndihmonin për të kaluar kufirin tre klandestinët nga Lezha. Mësohet se ata ishin marrë me taksi nga Ferit Plasa, deri në afërsi të Butrintit. Më tej, ndihma do të jepej nga Vilson Bushkola, i lindur në Mirditë dhe banor në fshatin e Sarandës. Në kuadër të operacionit “Gryka e Kataetos”, policia ndërhyri, duke vënë në pranga dy trafikantët dhe klandestinët, mes tyre një i mitur. Ndërsa i treti për trafikun u ndalua nga policia e Përmetit. Gazmend Dybeku, 36 vjeç nga Berati u identifikua si personi që ndihmoi një çift nga Fieri për të kaluar klandestin drejt Greqisë, duke u marrë atyre 800 euro. Itinerari që ka përshkuar çifti së bashku me 36-vjeçarin ka qenë përmes fshatit Biovizhdë në rrethin e Përmetit, që ndodhet në afërsi të vijës kufitare me Greqinë. Çifti ka mundur të kalojë kufirin, bashkë me shoqëruesin, por u kapën matanë kufirit, nga ana e policisë greke për t’u deportuar në pikën kufitare të Tri Urave në Përmet. sh.d/p.n