Obama thirrje Iranit: Lironi gazetaren, nuk është spiune
Presidenti iranian Mahmoud Ahmadinexhad kërkoi një apel të drejtë gjyqësor për gazetaren amerikane-iraniane, e cila u dënua me tetë vite burgim për spiunazh. Në një letër drejtuar prokurorit të Tehranit, Saeed Mortazavi, Ahmadinexhad i kërkoi atij që të sigurohej se Roxana Saberi do të kishte një mbrojtje të plotë, ka raportuar agjencia zyrtare e Republikës Islamike. Shtetet e Bashkuara kanë shprehur zhgënjimin e thellë pas dënimit me tetë vite, që ka vendosur Gjykata iraniane për gazetaren në një gjyq spiunazhi me dyer të mbyllura javën e kaluar. Ky rast po rrit sërish tensionet mes SHBA-së dhe Iranit, vetëm pak ditë pasi Presidenti Obama i zgjati dorën për marrëdhënie më të mira diplomatike dhe miqësore Presidentit Ahmadinexhad dhe kërkoi lehtësime për ngrirjen diplomatike 30 vjeçare me Iranin, për shkak të programit të tij bërthamor. Ndërkohë Presidenti Barak Obama tha dje se ishte shumë i shqetësuar për fatin dhe sigurinë e gazetares së burgosur iraniane-amerikane, Roxana Saberi, dhe i kërkoi Teheranit që ta lirojë atë, duke shprehur bindjen se ajo nuk ka qenë e përfshirë në spiunim. “Është e qartë se jam shumë i shqetësuar për sigurinë dhe mirëqenien e saj”, tha Obama në një konferencë për shtyp në Port of Spain, Trinidad dhe Tobago, ku po zhvillohej Samiti i pestë i dy Amerikave. “Ne po punojmë që të sigurohemi se ajo po trajtohet në mënyrën e duhur dhe po marrim informacione për rastin e saj. Ajo është një qytetare amerikane dhe unë kam besim të plotë se ajo nuk është e përfshirë në asnjë lloj spiunimi”, shtoi ai. “Ajo është një Iranian-Amerikane që ishte e interesuar për vendin nga vinte familja e saj dhe është e nevojshme që ajo të trajtohet si e tillë dhe të lirohet”. Obama tha se Uashingtoni do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me Teheranin nëpërmjet ndërmjetësve zviceranë.