E Shtunë, 31 Tetor 2026

Withers: Shqipëria është në një krizë qeverisjeje

Ambasadori amerikan në Tiranë flet shkoqur për situatën politike dhe jep mesazhe për zgjidhje

“Unë besoj se kriza është diçka më e thellë. Besoj se është krizë e qeverisjes”. Në këtë përfundim ka dalë dje kryediplomati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, John ithers. Teksa referoi në një takim të Institutit Shqiptar të Medias ku u diskutua për çështje të gjyqësorit dhe medias, Withers nuk iu shmang aktualitetit politik. “Për mua kriza politike nënkupton mospajtim mes dy anëve të politikës dhe dy liderëve. Por ajo që është e rëndësishme për mua është që sistemi duhet ta rivendosë veten në punë, sepse ka kaq shumë probleme me të cilat përballet ky vend. Këto janë probleme urgjente dhe probleme që ndikojnë në mirëqenien e këtij populli”, vlerësoi Withers. Ndaj, vijoi ai, për sa kohë zgjasin këto mospajtime edhe mundësia për t’i zgjidhur e për t’i ndihmuar këta njerëz është ndërprerë. Ambasadori këmbënguli se me vullnet politik kjo situatë mund të rregullohet. Withers tha se Bashkimi Europian ka një nismë shumë të rëndësishme lidhur me zgjidhjen e kësaj situate dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e përkrah këtë. “Nuk ka asnjë hije dyshimi mes nismës së BE-së dhe Shteteve të Bashkuara. është tërësisht thelbësore, tërësisht jetike që lufta e brendshme të ndërpritet dhe që interesi i këtij kombi të vihet përpara gjithçkaje”, u shpreh Withers.

Kryediplomati amerikan në kryeqytetin shqiptar komentoi edhe rrëzimin nga Kuvendi të kandidaturës së Vangjel Kostës për një nga vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese. “Disa ditë më parë kandidatura e Vangjel Kostës u rrëzua nga Parlamenti me thuajse një votim qartësisht partiak, të njëanshëm. Duhet ta pohoj se ky vendim duket i pakuptueshëm, madje më vuri në dyshime se kjo nuk ndodhi për shkak të kualifikimeve të tij, pasi përvoja dhe aftësitë e tij shkojnë përtej çdo kundërshtimi dhe se qëndrimi i tij si jurist është i nivelit më të lartë, përfshirë edhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Ai këmbënguli se arsyet që u dhanë për votimin parlamentar dukeshin politikisht shqetësuese. “Mediat dhe gjyqësori, besoj unë, duhet ta shqyrtojnë këtë vendim të pashpjegueshëm dhe në emër të publikut dhe të vetes të bëjnë këto pyetje: A u bazua ky vendim në arsyetim apo është një tjetër shembull për të ushtruar presion politik mbi procesin e përzgjedhjes së gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese?

Arsyet për refuzimin ngjasojnë çuditshëm me kriteret e projektligjit për pastërtinë e figurës që u shpall jo kushtetues prej Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit të Venecias. Në fakt, nuk duhet bërë pyetje lidhur me këtë çështje. A nuk duhet të kërkoni fakte lidhur me gjithçka që ndodhi?”, nënvizoi ambasadori në fjalën e tij. Dhe të gjitha këto pyetje, në këndvështrimin e tij, ngrenë çështjet lidhur me sundimin e ligjit apo shtetit ligjor në demokracinë shqiptare. “Në fakt, nuk më përket mua për pyetjet që ju mund të ngrini ose për pyetjet që unë ju bëra. Por gjyqtarët duhet t’i bëjnë këto pyetje po kështu duhet të bëjnë edhe gazetarët, sepse ato janë thelbësorë në rolin tuaj në ruajtjen dhe mbrojtjen e interesit publik për qytetarët shqiptarë”, theksoi Withers.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›