E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brukseli dhe Strasburgu i tregojnë PS-së derën e Kuvendit

Në përpjekje për të siguruar mbështetje për vazhdimin e bojkotit nga socialistët evropianë, PS, në fakt, ka marrë një mësim demokracie nga të ngjashmit e saj në Këshillin e Evropës dhe në Parlamentin Evropian. Përfaqësues të së majtës në këto institucione kanë shfaqur rezerva për bojkotin e socialistëve shqiptarë si mjet demokratik. Në Bruksel ishin kundërshtarët e bojkotit, Ben Blushi, Kastriot Islami dhe Andis Harasani, të cilët pas takimit me zv.presidentin e Parlamentit Evropian, Libor Roucek, duket se e kanë më të lehtë vendimin për të hyrë në Parlament, edhe nëse pjesa tjetër e partisë nuk do ta bëjë këtë. Socialdemokrati çek Libor Roucek e ka krahasuar reagimin e Ramës me atë të demokratëve në Amerikë kur u zgjodh George W. Bush, por në fund u pranua vendimi i institucioneve përkatëse, ndryshe nga Shqipëria. “Do të dëshiroja që vendimi të merrej nga e gjithë partia para mbarimit të afatit, që do të thotë para marsit. Mesazhi im është që duhet rikonsideruar situata, jo vetëm në Shqipëri, por ka një rregull të përgjithshëm. Bojkotimi i Parlamentit nuk të çon gjëkundi”, - është shprehur ai në takimin me tre deputetët socialistë. Më tej, ai ka thënë se në rastin e kontestimit të rezultatit të zgjedhjeve, kemi shembullin e zgjedhjes së Presidentit Bush në SHBA. “Shumë demokratë i vunë në dyshim zgjedhjet, por në fund u arrit që u pranua humbja, ndoshta në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, por u respektua vendimi”, - komentoi më tej Roucek. Numri dy i PE-së ka gjetur me vend që t’u kujtojë shqiptarëve se më e rëndësishme se çështja që ngre opozita është puna e përbashkët për të mirën e vendit. “Sistemi politik në Shqipëri të jetë më i bashkuar, kjo do të thotë që forcat kryesore politike të bien dakord për një strategji të përbashkët për të mirën e popullit shqiptar. Të përqendrohen tek prioritetet, ku kryesori është integrimi evropian”, - theksoi ai. Të njëjtin mesazh ka përcjellë dhe europarlametarja Doric Pack, një njohëse e mirë e politikës shqiptare. Në takimin me deputetët e Lëvizjes për Mendim Ndryshe ajo tha se “respektoj votën e elektoratit shqiptar dhe interesave të vendit që qëndrojnë më lart se interesat e çdo partie, por mendoj se çdokush në vend dhe sidomos Partia Socialiste duhet të dijë rregullat se si funksionon partia dhe këto rregulla duhet të jenë në një vijë me Kushtetutën e vendit”. Pack ndërkohë e ka cilësuar të drejtë vendimin e 5 deputetëve të LMN-së që të hyjnë në Kuvend dhe shtoi se “është pak e vështirë sepse bie në kundërshtim me vendimin e partisë të cilës i përkasin, por nuk po veprojnë kundër PS, po ndjekin rregullat. Këtë duhet ta bëjnë të gjithë anëtarët e partisë”
Deputeti Blushi, një nga kundërshtarët më të fortë të kryesocialistit Edi Rama dhe linjës radikale të bojkotit të vazhdueshëm u shfaq i qetë pas takimeve që zhvilloi në selinë e PE-së në Bruksel. Ai tha: “Vendimi ynë për të hyrë në Parlament është inkurajuar, për të mos thënë se kërkohet si detyrim i çdo opozite demokratike që të marrë pjesë në Parlament dhe kjo është ajo që do të ndodhë. Jemi të bindur se bashkë me bisedat e zhvilluara dhe bashkë me kolegët tanë në Tiranë, shumica e deputetëve socialistë në një datë të afërt do të futet në parlament për të ushtruar detyrën tonë kushtetuese”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›