Berisha, Ramës: KE, i dha goditje fatale bojkotit tënd
Kryeministri Sali Berisha e dënoi në mënyrën më të ashpër, ndërsa e cilësoi si antishqiptare, letrën e dërguar nga PS-ja në Këshillin e Evropës, në të cilën kërkohej ngrirja e kredencialeve të vendit tonë në Asamblenë Parlamentare. Nisur nga ky fakt, kreu i qeverisë i bëri thirrje kryesocialistit Edi Rama që t’u kërkojë falje publike qytetarëve shqiptarë për veprimin e padenjë dhe kundër interesave të tyre. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, ku zbardhi dhe përmbajtjen e letrës drejtuar KE-së, z. Berisha pohoi se me rivendosjen e kredencialeve të delegacionit shqiptare nga Këshilli i Evropës, ky institucion i dha përgjigjen më të mirë bojkotit të opozitës.
“Udhëheqja politike e Partisë Socialiste, në një akt të paprecedentë në historinë e Këshillit të Evropës dhe në historinë 15-vjeçare të Shqipërisë, i shkruan një letër, ku u drejtohet të gjitha grupeve parlamentare të Këshillit të Evropës dhe kjo letër mbyllet: “Bazuar në nenin 8 të rregullores së Parlamentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ne sfidojmë kredencialet e delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”. Sfidimi i kredencialeve është kërkesë de facto për përjashtimin e Shqipërisë nga ky forum evropian. Kjo përbën kërkesën më të dënueshme, më antishqiptare të formuluar gjatë këtyre 15 viteve ndaj vendit tonë”, - theksoi z. Berisha.
Kryeministri Berisha e konsideron të dënueshme dhe antidemokratike kërkesën e PS-së për sfidimin e kredencialeve të delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të KE-së. Z. Berisha vuri në dukje se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës me pranimin e kredencialeve të delegacionit shqiptar i dha goditjen e merituar dhe fatale bojkotit, duke dëshmuar se kjo formë nuk kalon në institucionet demokratike. "Bojkoti nuk shpërblehet. Atyre që bënë letrën, u mbetet një dëshmi e paprecedentë, tmerrësisht e rëndë, ndaj qëndrimit dhe interesit vetjak të çdo shqiptari. Kjo që ndodhi, tregoi se këtyre zotërinjve nuk u dridhet dora për të kërkuar dënimin e Shqipërisë, vetëm me qëllim marrjen e karriges", - u shpreh Berisha. Kreu i kabinetit qeveritar shtoi më tej se kërkesa për sfidim të kredencialeve të delegacionit të Shqipërisë është kërkesë 'de facto' për përjashtimin e vendit nga forumi evropian. Z. Berisha me këtë rast shpjegoi se PS-ja përfaqësohej në këtë delegacion me anëtarin e kryesisë, Kastriot Islami, i cili është i vetmi në këtë forcë politike që ka kredencialet. Po ashtu, Berisha kujtoi se vendin e anëtarit tjetër PS ia dhuroi kreut të PDS-së, Paskal Milo. Në kushte të tilla, Kryeministri Berisha kërkoi nga Partia Socialiste të shprehë ndjesën e saj për situatën e krijuar, ndërsa u bëri thirrje deputetëve socialistë të kthehen përfundimisht në Parlament, duke u ofruar bashkëpunim luajal. Kryeministri Sali Berisha informoi dje anëtarët e qeverisë për qëndrimin e qartë kundër bojkotit që përfaqësuesit e së majtës evropiane në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës kanë mbajtur në takimet me delegacionin e Partisë Socialiste. Duke cituar përfaqësuesit e Britanisë së Madhe, të Polonisë dhe Estonisë, Kryeministri tha se qëndrimi i tyre ka qenë i qartë, duke e konsideruar bojkotin të rrezikshëm dhe jo një mënyrë me të cilën punohet në Evropë.