Regjistrimi i popullsisë, qeveria: Si do të bëhet deklarimi
Procesi i regjistrimit të popullsisë përfshin të dhëna, si fenë, ashtu edhe etninë. Sipas Kryeministrit Sali Berisha, falë tolerancës së shkëlqyer fetare që ka ekzistuar brez pas brezi në Shqipëri, deklarimi i besimit fetar nuk përbën asnjë problem. Për sa i takon deklarimit të përkatësive etnike, Kryeministri u shpreh se në traditën më të mirë të regjistrimeve në këtë vend, ajo ka qenë një normë konstante. Vendimi i qeverisë për ngritjen e Komisionit Qendror të Regjistrimit të Popullsisë bëri që Kryeministri të ndalet në dy argumentet që kanë ngjallur debat publik: deklarimi i përkatësisë etnike dhe fetare në regjistrim. Berisha kërkoi që shumica e shoqërisë të jetë shumë e vetëdijshme dhe e përmbajtur dhe të mos bëjë deklarata lënduese për minoritetet dhe grupet etnike. “Dikush më thotë se do të dalë në Çerem apo Valbonë, dikush me origjinë greke. Unë them se nuk mund të dalë aty. Ligjvënësi përcakton rregullat se si do të jetë deklarimi. Thirrja ime është se shumica e shoqërisë, e cila ka një nga visaret më të çmuara të shpirtit të saj, tolerancën, ta përdorë atë. Këtu në Shqipëri gjen një lloj si në vendet më të zhvilluara, martesa ndëretnike pa asnjë lloj problemi dhe ky është një tregues shumë i rëndësishëm”, - u shpreh z. Berisha. Kryeministri e cilësoi debatin e nevojshëm, por tha se fakti që shqiptarët ndër shekuj i kanë dhënë rëndësi identitetit sesa përkatësisë së tyre fetare hedh poshtë çdo aludim se deklarimi i këtij elementi në procesin e regjistrimit do të përbënte problem. E njëjta gjë dhe për etninë, të cilën kryetari i qeverisë e cilësoi një normë konstante për vendin, duke iu referuar proceseve të ngjashme të regjistrimit që nga koha e Mbretit Zog. Këshilli i Ministrave mori në shqyrtim dhe miratoi pikërisht në mbledhjen e djeshme vendimin për një shtesë në vendimin “Për organizimin, funksionimin dhe përbërjen e Komisionit Qendror të Regjistrimit”. Duke u ndalur në këtë vendim, Kryeministri u shpreh se procesi i regjistrimit përbën një akt madhor, shumë të rëndësishëm, të reformave të vendit. “Duke pasur parasysh, - vijoi Kryeministri, - bazën e re, tërësisht elektronike mbi të cilën ky regjistrim bëhet, leverdishmëria dhe përdorimi i tij do të jetë i gjithanshëm dhe shumë i rëndësishëm”. Duke hedhur vështrimin në histori, Kryeministri solli fakte dhe dëshmi të mirëkuptimit të ndërsjellë të feve ekzistuese ndaj njëra-tjetrës, që vërteton më së miri bashkëjetesën e tyre të shkëlqyer. “Të krishterët e këtij vendi kanë qenë të vetmit armëmbajtës të krishterë në të gjithë Perandorinë Otomane dhe kjo, për faktin e vetëm se nëse ndokush do të tentonte t’i çarmatoste, reagimi do të ishte i përgjithshëm dhe mbarëpopullor pavarësisht nga besimi, për të mos hyrë pastaj në rite të tjera që i kanë përshkuar Bajroni dhe Eduart Lear, ku tregohet se si shqiptarët, të premten shkonin në xhami dhe të dielën në kishë. E bënin për respekt të njëri-tjetrit apo të ndonjë lloj besëtytnie, nuk e dimë, por e vërteta është se ata mbi të gjitha kanë identitetin e tyre kombëtar”, - tha z. Berisha. “Në këtë kontekst, - shtoi ai, - nëse ndokush nuk do të dojë të deklarojë besimin e tij, le të mos e bëjë, si dhe ai që ndihet ateist le ta deklarojë që është ateist”. Sipas tij, kjo është një shoqëri e lirë dhe sigurisht ka dhe ateistë. Për këtë Berisha pohoi: “Nuk shoh këtu as dëmin më të vogël”. Sipas Kryeministrit, të gjitha regjimet që ka provuar ky shtet, që nga themelimi i tij deri më sot, kanë qenë dhe janë sekulariste se kjo është një trashëgimi themelore pozitive, pra edhe në këtë rast, deklarimi i feve nuk ka asnjë ndikim dhe nuk mund të ketë asnjë ndikim mbi sekularizmin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Për sa i takon deklarimit të përkatësive etnike, Kryeministri u shpreh se në traditën më të mirë të regjistrimeve në këtë vend, ajo ka qenë një normë konstante. “Mbreti i parë i shqiptarëve në kohërat moderne, Ahmet Zogu, në regjistrimin e tij ka pranuar që çdo shtetas i këtij vendi të shprehë origjinën e tij etnike. Mendoj se Zogu ka zbatuar standardet më të mira të kohës”. Kryeministri vuri në dukje: “Shqiptarët kudo që janë, nuk kanë dhe nuk mund të kenë as dhe një kompleks dhe asnjë lëndim nga deklarimi i etnisë”.