E Diel, 1 Nëntor 2026

Brukseli i heq kartën zgjedhore të vizave Berishës

Komisioni Europian përgatitet të shtyjë liberalizimin e vizave me shqiptarët. Përplasje për afatet edhe mes komisionerëve Oli Ren dhe Zhak Barrot

Brukseli duket se nuk do ta lejojë qeverinë shqiptare që të përdorë elektoralisht premtimin për liberalizim vizash, pasi ka vendosur që të shtyjë për më vonë marrjen e vendimit. Komisioni i BE-së për Çështjet e Brendshme dhe të Drejtësisë paraqiti dje një raport për regjimin e ri të vizave, ku duket se të gjitha vendet e rajonit, me përjashtim të Maqedonisë, nuk do të përfitojnë lehtësim lëvizje në zonën e Shengenit. Gjithsesi, thuhet se ka një përplasje mendimesh mes komisionerit për Zgjerimin, Oli Ren dhe komisionerit Zhak Barrot. Kryeministri Berisha e ka përcaktuar në listën e premtimeve prioritare të fushatës së tij liberalizimin e vizave për shqiptarët deri në janar të vitit 2010, pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit nga parlamentet e 27 vendeve anëtare të BE-së.
Jo viza
Ndonëse ishte pritur një lehtësim vizash mes Shqipërisë dhe zonës “Shengen”, reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare duket se nuk e kanë bindur ende Brukselin. Një gjë e tillë duket edhe në raportin e fundit që është përgatitur nga Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Sigurisë në lidhje me regjimin e vizave mes BE-së dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria sërish nuk është në listën e preferuar të Bashkimit Europian; kjo për faktin se ndodhet edhe në prag të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, dhe duket se një vendim pozitiv, apo edhe negativ, mund të ndikojë në procesin zgjedhor. Drejtuesit e Komisionit Europian kanë vendosur që t’i hapin dritën jeshile për në zonën “Shengen” vetëm qytetarëve maqedonas.
Përplasja
Mediat rajonale lajmërojnë për një përplasje mes komisionerëve Oli Ren dhe Zhak Barrot. Duke iu referuar zyrtarëve të BE-së, “Dnevnik” shkruan se komisioneri për Zgjerimin dëshiron anulimin e vizave për rajonin në tërësi, ndërsa kolegu i tij për Çështjet e Brendshme dhe të Drejtësisë është vetëm në favor të Maqedonisë. Ren dhe Barrot kanë mosmarrëveshje rreth përcaktimit të afateve kohore për Serbinë në përfshirjen në të ashtuquajturën “lista e bardhë e Shengenit”. Frika ka të bëjë me çështjen e reagimit të shqiptarëve të Kosovës nëse do të përfitojnë serbët lehtësim lëvizje. Procedura e vendosjes së një vendi në listën e bardhë të Shengenit nuk bëhet e mundur vetëm me një rekomandim, por kalon përmes një propozimi formal të miratuar nga Komisioni Europian. Komisioneri Ren ka dhënë një rekomandim, por ky nuk është propozim zyrtar i Brukselit. Burimet e mediave pohojnë se pritet të jepet një mendim deri më 25 maj të këtij viti nga krerët e qeverive të BE-së. Vendimi kalon me 2/3 e votave të shteteve anëtare të BE-së dhe me një mbështetje nga Parlamenti Europian.
Dy ditë më parë mediat e Tiranës cituan pjesë të raportit, ku thuhet se Shqipëria nuk ka realizuar reformat e kërkuara nga Brukseli për të përfituar lehtësim lëvizje në vendet e BE-së. Disa ditë më parë Tiranën e vizitoi edhe komisioneri për Çështjet e Brendshme dhe të Sigurisë, Zhak Barrot, i cili përmendi 6 kushte që duhet të realizojë qeveria shqiptare: lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër emigracionit klandestin, reforma në sistemin gjyqësor; pasaportat biometrike dhe pajisja e shtetasve me karta identiteti. Ndonëse ka vlerësuar shumë prej reformave të ndërmarra nga qeveria, Shqipëria duhet të realizojë 42 pikat e shtruara nga BE-ja, të cilat kanë të bëjnë me pesë standarde. Lehtësimi i lëvizjes drejt vendeve të Bashkimit Europian mbetet ëndrra e shqiptarëve, edhe për faktin se shumica e të afërmve të tyre jetojnë në Itali dhe Greqi.

19 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›