E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Berisha, përgjegjës për izolimin e shqiptarëve



Partia Socialiste ka fajësuar qeverinë “Berisha” për vërejtjet e bëra në raportin e Komisionit Europian, në të cilin theksohej se Shqipëria nuk ka përmbushur kriteret për përfitimin e liberalizimit të vizave. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, tha se qeveria aktuale është përgjegjësja kryesore për izolimin që vazhdojnë të vuajnë shqiptarët. Braçe e akuzoi Berishën se vuri interesat e të birit përpara atyre kombëtare. “Raporti i djeshëm e tregon më së miri, më së qarti, se qeveria e Sali Berishës po ia mohon këtë shans që vendet e Bashkimit Europian ua kanë ofruar shqiptarëve. Pra, një mundësi që të gjithë shqiptarët të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimit Europian. Për fat të keq, midis shqiptarëve dhe djalit të tij, midis shqiptarëve dhe djalit të tij politik, Sali Berisha zgjodhi interesat e djalit të tij biologjik dhe të djalit të tij politik. Në krye të të gjithë vlerësimeve që dje dhe sot mbërritën në Shqipëri nga Komisioni i Bashkimit Europian, është çështja mbi të gjitha e pavarësisë së gjyqësorit, e cenuar rëndë pikërisht për interesa personale të Sali Berishës dhe të djalit të tij të përfshirë në korrupsion, interesave personale të Sali Berishës dhe të djalit të tij politik, të përfshirë po prapë në korrupsion”, - tha Braçe.

Meta: “Qeveria jonë do të garantojë liberalizimin e vizave”

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka deklaruar se qeverisja e ardhshme e LSI-së do të garantojë brenda vitit liberalizimin e vizave për shqiptarë. “Ne besojmë se çështja e liberalizimit të plotë të vizave është krejtësisht e mundshme në rast se qeveria plotëson të gjitha standardet e kërkuara dhe ne kemi gjithë vullnetin për ta arritur sa më shpejt këtë objektiv. Në radhë të parë brenda këtij viti do të liberalizojmë dhe të heqim vizat me të gjitha vendet e rajonit tonë dhe jemi të bindur se brenda vitit të ardhshëm kjo është plotësisht e mundur për të plotësuar të gjitha standardet dhe me Bashkimin Europian”, - tha Meta.

19 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›