Pesë deputetët e LMN: Të shkojmë në parlament. PS: Vetëm nëse zbardhet krimi zgjedhorNga Tema Blushi: Bojkoti parlamentar po cenon rëndë imazhin e PS Deputetët socialistë, kundërshtarë të Ramës në PS, Ben Blushi, Arben Malaj, Kastriot Is
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Pesë deputetët e LMN: Të shkojmë në parlament. PS: Vetëm nëse zbardhet krimi zgjedhorNga TemaBlushi: Bojkoti parlamentar po cenon rëndë imazhin e PS
Deputetët socialistë, kundërshtarë të Ramës në PS, Ben Blushi, Arben Malaj, Kastriot Islami, Marko Bello dhe Andis Harasani, dolën dje para medieve për t’i bërë thirrje Edi Ramës që të lejojë deputetët e PS të shkojnë në parlament, për të mos cenuar më rëndë imazhin e Partisë Socialiste me vendimin për të bojkotuar parlamentin. Në një deklaratë për shtyp, ata i bënë thirrje dje grupit parlamentar socialist të braktisë interesat personale të Ramës dhe të ndërpresë bojkotin, pasi vendimi për bojkot po dëmton përditë e më shumë imazhin e PS. “Të shqetësuar se bojkoti cenon rëndë imazhin e PS duke e kthyer atë në qëndrime të vjetra e të tejkaluara; të bindur se bojkoti i parlamentit po kushtëzohet e imponohet kryesisht nga zgjedhjet brenda PS; të sigurt se sot vendi ka nevojë më shumë se kurrë për një opozitë në parlament përballë një qeverie, e cila nuk garanton reforma dhe proces të shpejtë të integrimit të vendit, ne i kërkojmë grupit parlamentar të PS të lexojnë me qetësi e realizëm të gjitha qëndrimet e faktorit ndërkombëtar për zgjedhjet, dhe kërkesën e tyre unike për praninë opozitare në Kuvend. Së dyti, të ndërpresë në një kohë sa më të shpejtë bojkotin e parlamentit duke përshtatur qëndrimin e vet politik me atë të institucioneve ndërkombëtare”, - thuhet në deklaratën e pesë deputetëve, e cila u lexua nga Ben Blushi. Sipas këtij të fundit, bojkoti i parlamentit ka lidhje me zgjedhjet brenda PS duke theksuar se me bojkotin parlamentar PS po i krijon qeverisë Berisha një luks, të cilin ne nuk duhej që PS t’ia kishte garantuar. “U miratua programi i qeverisë dhe nuk u dëgjua qëndrimi i PS mbi këtë program, sepse PS nuk është në parlament, por duke bredhur nga një takim në tjetrin, duke intimiduar anëtarët e PS, të cilët kërkojnë që PS të futet në shinat që ka përcaktuar ky sistem. Ne po kundërshtojmë një vendim personal të Edi Ramës, dhe Edi Rama dhe Partia Socialiste nuk është e njëjta gjë, janë dy gjëra të ndryshme. Ne kemi dalë për të folur për interesa të PS dhe të Shqipërisë, se Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për opozitën në parlament, dhe për Partine Socialiste, që është një parti e madhe, e cila mund të ndihmojë integrimin e Shqipërisë në BE, dhe është e vetmja parti sot në opozitë, e cila mund t’iu thotë shqiptarëve se çfarë nuk mund të bëjë kjo qeveri. Dhe në qoftë se ka sot vetëm një faktor politik në Shqipëri që ka interes për këtë bojkot, kjo është qeveria, sepse besoj se bini dakord me ne që qeveria ka një moment luksi, në momentin që nuk ka opozitën përballë. PS nuk është në parlament, po është duke bredhur nga një katund në tjetrin duke intimiduar anëtarët e PS, të cilët kërkojnë që PS të futet në shinat që ka përcaktuar ky sistem, në të cilin jemi”, - tha Blushi.
Klosi: Misioni legjitim i opozitës është mbrojtja e votës, ligjit e Kushtetutës
Deputeti socialist, Blendi Klosi, tha dje se Partia Socialiste është e vendosur të vazhdojë bojkotin parlamentar deri në plotësimin e kushteve të vendosura për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Duke e cilësuar si një mbrojtje të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, Klosi tha se PS është më e vendosur se kurrë në rrugën e saj të bojkotit. “PS është vendosur në rrugën e saj legjitime për të mos lejuar që ligjit të kthehet në një letër pa vlerë, që zgjedhjet të kthehen në një proces të korruptuar, që tufat e kriminelëve të lejohen të dalin nga burgjet për fushatë elektorale, që drejtuesit e shtetit të përdorin postet dhe fondet publike për fushatë elektorale; që njerëzit të largohen nga puna, pse nuk rreshtohen me pushtetin. Ne sot, më të vendosur se kurrë, do të mbrojmë demokracinë dhe shtetin e së drejtës Do të mbrojmë çdo njeri shqiptar apo shqiptare kudo që të jetë nga kamxhiku i patolerueshëm i pushtetit”, - tha dje Klosi.
Ai e quajti ditën e parë të qeverisë së re Berisha-Meta si një shfaqje të turpshme të një qeverie të re të politikës së vjetër. Klosi tha se shfaqja e qeverisë Meta-Berisha është “një shfaqje hipokrite e degradimit të tejskajshëm, jo vetëm për shqiptarët që votuan përsëri në shumicë që Sali Berisha të mos e qeveriste më këtë vend, dhe të shkonte në pension politik, por dhe për të gjithë ata njerëz të ndershëm që kërkojnë që ky vend të qeveriset nëpërmjet votës së lirë”. Duke komentuar zhvillimet e dy ditëve më parë Klosi tha: “Dita e djeshme për qytetarët shqiptarë qe një ditë tjetër e shpresës së vrarë nga Sali Berisha dhe shpura e tij që, pasi plaçkitën katër vjet Shqipërinë, grabitën në mënyrë të paturpshme dhe zgjedhjet. I paaftë dhe i painteresuar për t’iu dhënë zgjidhje halleve të qytetarëve, Sali Berisha dëshmoi dhe njëherë se nuk do të qeverisë dot ndryshe, por do të vazhdojë mjeshtërisht pasurimin e oborrit të tij personal, pavarësisht patericave të reja që i ofroi Ilir Meta me votat e marra falë një mashtrimi të madh publik.
Sali Berisha me ministra të kërkuar nga drejtësia dhe me ministra që mashtruan popullin opozitar nuk mund të qeverisë dot në mënyrë demokratike vendin, dhe prandaj Partia Socialiste është çdo ditë dhe më e vendosur të vazhdojë misionin e saj historik, atë të rezistencës demokratike në plotësim të standardeve të munguara. Sali Berisha i trembet së vërtetës së kutive të votimit, të cilat i mban peng në mënyrë të kundërligjshme.
Ne nuk hyjmë në këtë parlament të rezultateve të deformuara dhe të kutive të mbyllura. Ne nuk kërkojmë të marrim pushtetin në tavolinë, por do të kërkojmë zbardhjen e së vërtetës së 28 qershorit. Nuk mund të ketë mision më legjitim për një opozitë demokratike sesa mbrojtja e votës, ligjit e Kushtetutës”, - tha Klosi.
Gjinushi: Qeveria Berisha 2 është bashkim i bandës së Gërdecit me atë të Thesarit të Shtetit
Kryetari i PSD, Skënder Gjinushi, tha dje se qeveria e re Meta-Berisha është një mashtrim elektoral, duke shkuar më tej, ai e konsideroi këtë koalicion si “bashkim të bandës së Gërdecit me atë të Thesarit të Shtetit”. Edhe pse nuk është vetë deputet, Skënder Gjinushi tha dje se vendimi i PS për të bojkotuar parlamentin është qëndrimi i duhur dhe një hap i domosdoshëm, sipas tij, në të mirë të votës së lirë dhe legjitimitetit të institucioneve. “Qeveria e re nuk u ngrit për zbardhjen e krimit të Gërdecit, por për mbulimin e tij, duke shkatërruar përfundimisht drejtësinë dhe gjyqësorin në Shqipëri. Bojkoti i Kuvendit është një lëvizje e domosdoshme e opozitës, e cila kërkon rikthimin e votës së lirë, kërkon rikthimin e legjitimitetit të institucioneve, të cilat duhet të ngrihen vetëm me zgjedhje të standardeve evropiane”, - tha Gjinushi. Kryetari i PSD është renditur në krah të kryetarit të PS, Edi Rama, duke mbështetur vendimin radikal të socialistëve për të bojkotuar parlamentin. Partia Socialdemokrate nuk mundi të fitojë votat e nevojshme për të qenë pjesë e parlamentit në mandatin që sapo ka nisur.