Kreditë e këqija shtohen me 53 milionë dollarëNga TemaNdonëse Banka Qendrore tha se recesioni është në fund duke kopjuar fjalë për fjalë ato që tha guvernatori i Bankës Qendrore Evropiane dhe ndonëse qeveria po ashtu pranoi se ekonomia ka dalë nga fr
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Kreditë e këqija shtohen me 53 milionë dollarëNga TemaNdonëse Banka Qendrore tha se recesioni është në fund duke kopjuar fjalë për fjalë ato që tha guvernatori i Bankës Qendrore Evropiane dhe ndonëse qeveria po ashtu pranoi se ekonomia ka dalë nga frenimi, një zhvillim i keq është regjistruar në sistemin bankar të vendit dhe kjo është kredia e keqe ose kredia që ka shanse të mëdha të mos kthehet. Sipas të dhënave zyrtare të vetë Bankës së Shqipërisë, deri në fund të muajit mars kredia me probleme ka pësuar rritje ose, për të qenë më të saktë, është rritur numri i kredimarrësve që kanë vështirësi në pagimin e kësteve të kredisë. Gjithashtu, të dhënat pohojnë se rritja e problemeve në ekonomi ka bërë që edhe disa kredi, që nuk ishin sjellë si të këqija të, nisnin të silleshin si të tilla duke e shtuar burimin nga lindin kreditë e këqija. Sipas raportit, më problematik në pagimin e kësteve të kredisë është biznesi dhe kryesisht për kredinë e marrë në valutë dhe këtu duket se efekt ka patur edhe fakti që valuta është shtrenjtuar me 10% që prej janarit. Kjo gjë ka bërë që këstet mujore të jenë 10% më të shtrenjta se sa ishin vitin e shkuar. Sipas raportit të BSH, “si rezultat i rritjes së shpejtë të kredive me probleme (+16.8% apo 5.3 miliardë lekë), në kushtet kur portofoli i kredive shfaq rritje modeste (+1.05%), treguesi i kredive me probleme ndaj totalit të portofolit arriti 8.73%, nga 7.55% në fund të muajit mars ’09. Bizneset shfaqen më problematike me kredi me probleme rreth 10.1% të totalit të portofolit të kredive. Ndërkohë, ky tregues për individët përllogaritet rreth 7.3%. Cilësia e portofolit të kredisë sipas monedhave, ndryshe nga zhvillimet e tremujorit të parë të vitit, dallon përkeqësimin më të shpejtë të portofolit në monedhë të huaj, duke tejkaluar nivelin për lekun dhe duke e çuar treguesin në 8.84%, nga 8.5% për kredinë në lekë. Analiza e cilësisë së kredisë, sipas degëve të ekonomisë, dallon sektorët e “industrisë përpunuese” dhe të “tregtisë, riparimit të automjeteve dhe artikujve shtëpiakë”, veçanërisht për shkak të cilësisë së dobët të portofolit të kredisë dhënë këtyre sektorëve dhe peshës së konsiderueshme të tyre në ekonomi”. Ndërkohë, gjatë këtyre muajve bankat kanë rritur kreditimin në monedhën vendase. Sipas raportit të BSH, “kredia në valutë ka rënë me rreth 2.75 miliardë lekë ose me 0.9% si rrjedhojë e rënies së kredisë në monedhën e përbashkët evropiane (euro) në masën rreth 19 milionë euro apo rreth 2.5 miliardë lekë, ndërkohë që kredia në USD u rrit rreth 1.4 milionë USD ose rreth 130 milionë lekë. Kredia në monedhën vendase (lekë) u rrit me rreth 7.1 miliardë lekë ose me 6.2%”.