E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brukseli mbeshtet vendimin e Greqise

Brukseli ka mirëpritur votimin e masave shtrënguese nga ana e deputetëve grekë në kuadër të programit të dytë të ndihmës ndërkombëtare. Komisioneri për cështjet ekonomike dhe monetare në BE, Olli Rehn, e ka vlerësuar kete vendim si një hap përpara dhe shumë të rëndësishëm ndaj aprovimit nga ana e Eurogroup të paketës së dytë të shpëtimit. Rehn ka shpjeguar se një dështim i Greqisë do të ishte një rezultat shkatërrues për vet vendin dhe popullin helen por edhe për të gjithë ekonominë europiane, kjo për shkak të efektit kontaminues që do të zhvillohej. Komisioneri për ekonominë europiane ka thënë se korrigjimi i një serie çekuilibrash që dominojnë ekonominë greke si dhe përmirësimi i kushteve për rritjen dhe punësimin janë një sipërmarrje që do të kërkojë shumë kohë dhe përpjekje nga ana e shoqërisë greke.
“Komisioni Europian do të mbetet fortësisht i angazhuar në fuqizimin e mbështetjes për administratën greke. Autoritetet greke dhe forcat politike tani duhet të aktivizojnë plotësisht paketën e dytë të programit, me qëllim garantimin e kthimit të vendit drejt rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe punësimit.”- shpreh komisioneri Rehn
Gjithsesi Rehn ka pohuar nga Brukseli se BE-ja do të vijojë të qëndrohë përkrahë popullit grek. Vota e djeshme e Parlamentit ka treguar një vendosmëri që dominon në Greqi, një vend që synon t’u japë fund viteve të vështira makro-ekonomike, ka deklaruar Rehn. Por nga ana tjeter ai ka dënuar dhunën e manifestuesve përballë parlamentit, ndërkohë që deputetët ishin përballë një zgjedhjeje të vështirë për të ardhmen e vendit. Komisioneri i BE është shprehur se dhuna e djeshme nuk përfaqëson mazhorancën e popullit grek.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›