E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama ka braktisur detyrimet ndaj kryeqytetasve, interesi i tij i vetëm është ai i klaneve mafioze

Reagon deputeti demokrat Aldo Bumçi

Partia Demokratike reagoi dje në vijim të akuzave të faktuara lidhur me aferat antiligjore që Edi Rama ka kultivuar në bashkinë e Tiranës.
Deputeti dhe kryetar i degës së PD-së për Tiranën, Aldo Bumçi deklaroi se prej kohësh Edi Rama ka braktisur çdo detyrim ndaj shërbimeve të kryeqytetasve, duke u ndërthurur thellë në interesa të paligjshme ekonomike të tij dhe të klanit që përfaqëson.
“Edi Rama ka kohë që nuk është më në shërbim të qytetarëve. Tiranën dhe qytetarët e saj ai ka vite që i ka bojkotuar dhe i ka braktisur në detyrën e tij si kryetar i bashkisë së Tiranës. Interesat e paligjshme ekonomike të tij dhe të klanit të tij janë e vetmja arsye që e lidhin atë me Tiranën”, u shpreh Bumçi.
Deputeti i Partisë Demokratike iu referua shitjes së trualli të Parku “Rinia” me çmimin qesharak dhe në shkelje me ligjin, prej vetëm 97 eurosh, ndërsa trualli përballë, në anën tjetër të Bulevardit, pikërisht te Hotel “Dajti”, është vlerësuar nga ministri e Punëve Publike, me çmimin e tregut prej 1500 euro.
“Ne bëmë publike shitjen e truallit te Parku Rinia me 97 euro, ose 12 mijë lek, metrin katrore si një shkelje shumë e rëndë e ligjit. Ky abuzim bëhet dhe më i rëndë kur vetë bashkia e Tiranës e ka vlerësuar truallin përballë Hotel “Dajtit”, në anën tjetër të Bulevardit, me 1500 euro metrin katror. Ky është një shembull më shumë i arrogancës me të cilën Edi Rama qeveris Tiranën. Për Edi Ramën nuk ekzistojnë, nuk kanë asnjë vlerë, as ligji dhe morali, as Tirana dhe qytetarët e saj. Ekziston vetëm një interes: përfitimi i paligjshëm ekonomik i tij dhe i klanit të tij. Se përndryshe nuk mund të shpjegohet se si bashkia e Tiranës e shet truallin në zemër të qytetit me 97 euro metri katror kur vetë në dokumentet e saj e vlerëson me 1500 euro metri katror. Ky nuk mund të jetë kryetari i bashkisë së kryeqytetit, ky është kryetari i interesave të paligjshme ekonomike. Edi Rama nuk është më në shërbim të qytetarëve, ai është në shërbim të interesave të klanit të tij të ngushtë”, u shpreh më tej, deputeti i selisë blu, Aldo Bumçi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›