E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama i rikthehet mirazhit me kuti votimi dhe krizë ekonomike

Edi Rama, u shfaq dje sërish para kamerave. Sigurisht, nuk kishte si të mungonte dhe për këtë e kishte edhe pretekstin për të justifikuar daljen e tij të radhës, por sërish për “të folur shumë, por për të mos thënë asgjë”. Një mbledhje rutinë e një strukture rutinë, të një partie rutinë (sikurse është Asambleja Kombëtare e PS-së, ish-KPD-ja e famshme) u shit e u pompua dje si mbledhja shpëtimtare nga kriza ekonomike (sigurisht e supozuar nga Edi Rama).
Dhe për të bërë sa më të besueshme këtë supozim të tij për krizë ekonomike, Edi Rama, lançoi edhe strukturën më të re “Këshillin Ekonomik Kombëtar të Partisë Socialiste”. Me kaq, ndoshta edhe me më shumë pompozitet, u prezantua disa muaj më parë, për të njëjtin (mos)qëllim edhe një tjetër strukturë e PS-së, sikurse Fondacioni “Qemal Stafa”, i cili sot konsiderohet një relike, aq e vjetër si ide dhe si strukturë, e denjë vetëm për në koshin e historisë së PS-së.
Ndërsa dëgjoheshin dje “resumetë” e Erion Braçes, Shkëlqim Canit, Ilir Beqjas, apo edhe të ndonjë tjetri, nuk të ngelej asgjë në mendje, si në “sirtarin” e “audio”-s ashtu edhe në atë të “video”-s. Nuk të ngelej asgjë në mendje, sepse, më herët, të paktën që nga mesi i vitit 2005, Erion Braçe, Shkëlqim Cani, Ilir Beqja etj., etj., në dalje të ndryshme, nuk kanë thënë asgjë më shumë se sa thanë dje. Ndryshimi qëndronte në atë, se dje, Erion Braçe, Shkëlqim Cani, Ilir Beqjas, e ndonjë tjetër, kishin prerë copa gazetash që ndër vite kanë cituar ata, i kishin ngjitur sipas një “renditje të re”, dhe i lexonin e publikonin dje, nëpërmjet risisë të vetme të dukshme, sikurse ishte “Power Point”-i.
Dyshimin për këtë mëdyshje e fshiu vetë Edi Rama me fjalimin e tij të stërzgjatur, i cili nuk ndryshonte aspak nga fjalimi i famshëm i “7 drejtimeve themelore”, i “100 masave” të mundshme dhe i “1000 faqeve” të  programit elektoral parazgjedhor.
Njëlloj sikur të ishte më se 6 muaj më parë, edhe dje Edi Rama foli e foli, por nuk tha asgjë për, “7 drejtimet themelore”, “arsimin”, “prodhimin vendas”, “fshatin”, “shëndetin”, “mjedisin”, “turizmin” dhe “kohezionin social”.
Më tepër se sa një përsëritje e rëndomtë, e ideve të para datës së zgjedhjeve, llomotitja e djeshme e Edi Ramës, lexohej si një shterpësi idesh apo “vizionesh”, sikurse u përpoq ti shiste ai dje këto antikuarë, që mund të konkurrojnë për nga vjetërsia vetëm me Fondacionin “Qemal Stafa”.
Për të mos lënë shkak për akuza të mundshme se “shohim vetëm anët e errëta të Edi Ramës”, nuk mundtë rrihet pa evidentuar një risi (e vetme) e djeshme e kryesocialistit. Risia, nuk qëndron te fakti se ai dje foli për një krizë ekonomike të supozuar prej tij, por te “këndvështrimi” i kësaj krize ekonomike.
Në një moment të vetëm, dje Edi Rama u tregua i sinqertë, jo vetëm me anëtarët e Asamblesë Kombëtare të PS-së, por edhe me anëtarësinë, e mbështetësit e PS-së, pse jo edhe me gjithë shqiptarët. Sinqeriteti i Edi Ramës, “u stampua” dje, kur ai pohoi se “i kishte parashikuar këto orë të vështira për vendin e për njerëzit e këtij vendi, por se kishim menduar se në këto orë do të ishim në opozitë...”.
Risia dhe dallimi në këtë frazë të artikuluar dje prej Edi Ramës, qëndron në atë se, ndërsa vërtetë Edi Rama ka folur për krizën ekonomike, për herë të parë diku nga mesi i muajit prill të këtij vitit, saktësisht para datës së zgjedhjeve të 28 qershorit, por atëherë krizën e shihte vetëm (dhe të lidhur) me (pa)mundësinë e zgjedhësve shqiptarë, për të paguar 2 mijë lekë (të vjetra), apo 12 mijë lekë (të vjetra), për një kartë identiteti. Pra e thënë më ndryshe, diku nga mesi i muajit prill i këtij viti, Edi Rama fliste vërtetë për krizë ekonomike, por e shihte këtë krizë të kushtëzuar vetëm me (pa)mundësinë e (mos)hedhjes së votës në kutitë e votimit.
Saktësish 8 muaj pas gjysmës së prillit të këtij viti, sërish Edi Rama sheh ëndrra me sy hapur për krizë ekonomike, por këtë herë, në kuadrin e të vetmes risi, këtë krizë të supozuar Edi Rama e sheh tashmë të kushtëzuar vetëm me (pa)mundësinë e (mos)nxjerrjes së votës nga kutitë e votimit...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›