E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brukseli paralajmëron falimentimin e shtetit grek

Në mënyrë surprizë, burokratët e Brukselit kanë shpallur ekonominë greke si të falimentuar dhe që s’do të mundet ta arrijë standardet e BE-së, pas goditjes nga kriza ekonomike. Ministri i Financave i Gjermanisë e ka shpallur edhe publikisht falimentimin e pritshëm, por kryeministri Karamanlis thotë se bëhet fjalë për një gjendje të përkohshme destabiliteti financiar


Deklarata e ministrit të Financave në qeverinë Merkel, Otto Bernhart, se shteti grek ishte pranë falimentimit e se duhej një ndërhyrje e Brukselit që ai të shpëtohet (bashkë me Greqinë, ai ka përmendur edhe Irlandën) është përcjellë me siklet nga mediat e Athinës, ndërkohë që qeveria Karamanlis e ka patur shumë të vështirë të reagojë. Vetë kryeministri Karamanlis ka replikuar në mënyrë të thatë, duke deklaruar se shteti i tij nuk kishte nevojë të posaçme për vëmendje a ndihmë financaire. Rifinancimi i deficitit tonë buxhetor po ecën në mënyrë normale, theksoi kryeministri Karamanlis, bile një pjesë e mirë e këtij buxheti po mbulohet që në dy muajt e parë”, theksoi ai. Mediat greke pyesnin dje nëse ishte rasti që të analizoheshin deklaratat qetësuese të qeverisë së Athinës, apo duhet t’ua vinin veshin autoriteteve të Brukselit, të cilat kur analizuan deficitin buxhetor e klasifikuan ekonominë greke, së bashku me atë irlandeze si një ekonomi të falimentuar, së cilës do t’i duheshin ndihma të mëdha që të mbahej në këmbë.


Departamenti i Shtetit i SHBA kritikon diskriminimin në tablonë greke të të drejtave të njeriut/Qeveria greke "përgjithësisht respektoi" të drejtat e njeriut të shtetasve të saj më 2008, por mbeten probleme në disa fusha, sipas raportit vjetor të të drejtave të njeriut të Departamentit të Shtetit te SH.B.A dalë muajin e kaluar. Raporti vuri në dukje në veçanti një rritje në rastet e trajtimit mizor të emigrantëve pa dokumenta, azil-kërkuesve dhe anëtarëve të komunitetit rom nga zyrtarët e zbatimit të ligjit. Ai vuri në dukje gjithashtu diskriminimin ndaj pakicave etnike, shfrytëzimin e fëmijëve, përpjekjet për të frenuar lirinë e shprehjes e fesë dhe mbrojtjen e papërshtatshme dhënë viktimave të dhunës brenda vendit. Organizata të të drejtave të njeriut dokumentuan se si "azil-kërkuesit dhe migrantët ishin rrahur rregullisht gjatë arrestimeve dhe ndërsa ishin në paraburgim". Shitësit e huaj në rrugë gjithashtu vuajtën abuzime "pothuajse të përditshme". Korruptimi i policisë me mënyra të ndryshme mbetet problem. Në shumicën e rasteve, policët morën "ndëshkime të lehta", dënime të pezulluara ose gjoba të vogla -- ose edhe shfajësime. Numri i të burgosurve u rrit më 2008, duke mbërritur në 11,800 në shtator, shumë mbi kapacitetin e sistemit prej 7500. Burgjet, shpesh të mbipopulluar dhe të vjetëruar, "vazhdojnë të mbajnë të miturit në të njëjtën qeli me të rriturit", pohoi raporti. Ndonëse ligji ndalon diskriminimin bazuar në racën, gjininë, paaftësinë apo statusin shoqëror, qeveria "nuk i mbrojti këto të drejta vazhdimisht në praktikë", tha raporti. Ai përmendi "gra e fëmijë ... homoseksualë dhe pakica etnike, veçanërisht romë dhe emigrantë pa dokumente" si grupet veçanërisht më të prekur. Më tej ai deklaroi se shtetasit grekë me origjinë jo-greke përgjithësisht nuk mund të marrin njohjen si "pakica" apo "pakica gjuhësore". Athina historikisht ka njohur vetëm një pakicë fetare "muslimane" dhe ndalon shoqatat nga përdorimi i termit "turk" në emrat e tyre, vuri në dukje studimi. Komuniteti rom vazhdoi të ndeshet me diskriminimin e gjërë qeveritar dhe të shoqërisë, duke përfshirë abuzimin sistematik policor, të tillë si bastisje, dëbimin e paligjshëm dhe shkatërrimin e shtëpive të tyre, tha raporti. "Qeveria greke nuk ishte e angazhuar vazhdimisht ndaj të drejtave dhe mirëqënies së fëmijëve," tha raporti, duke thënë se shtetasit më të rinj të vendit "ishin të prekur nga mungesa e strehës dhe shfrytëzimin në punë". Raporti përmendi gjithashtu përfundimet e studimit se gati dy të tretat e fëmijëve romë nuk ndiqnin shkollën; 90% janë analfabetë. Trafikantët transportuan një numër të madh grash e fëmijësh dhe disa burra për në vend dhe brenda vendit "për qëllime të shfrytëzimit tregtar seksual dhe punë të detyruar", tha raporti. OJQ-të llogaritën se trafikantët patën 13 mijë deri në 14 mijë viktima në çdo kohë të caktuar. Probleme të tjerë të përmendur përfshijnë dhunën brenda vendit dhe ngacmimin seksual. Raporti vuri në dukje se shumica e gjërë e punonjësve gra të ngacmuara u larguan nga punët e tyre në vend që ngrinin padi.


Greqia po përpiqet të ulë financimet evropiane për projektin Nabucco/Nabucco - një tubacion 3300 km, i parashikuar të transportonte gazin kaspik në Evropë nëpërmjet Turqisë dhe Ballkanit me qëllim që të kufizonte vartësinë e BE nga gazi rus, ra nga lista e projekteve bandëgjera e të energjisë që plani stimulues i BE do të financonte, raportoi të martën EurActiv me bazë në Bruksel. Ministrat e jashtëm të BE diskutuan planin prej 5 miliard euro gjatë një takimi të hënën por nuk arritën një marrëveshje mbi listën e projekteve bandëgjerë e të energjisë. Nënkryeministri çek për çështjet e BE Aleksander Vondra, vendi i të cilit mban presidencën e rradhës së BE, shprehu shpresë të hënën se anëtarët e BE mund të arrinin një marrëveshje. Po qe kështu, Parlamenti Evropian mund të miratojë planin stimulues përpara përfundimit të mandatit të vet. Po qe se jo, besueshmëria e cilitdo do të vihet në pikpyetje, tha Vondra. Greqia mësohet se është në krye të një lobingu që po kërkon ta deklasifikojë këtë projekt, duke paraqitur si alternativë një gazsjellës tjetër, që s’ka alternativa në Ballkan apo Evropën Qendrore, por që kalon nëpërmjet Egjeut, në brigjet greke për në Itali e më pas në ekonomitë e forta të BE-së. Kjo lloj hileje po paraqitet me emrin e përgjithshëm "Korridori Jugor", që synon ta zëvendësojë Nabucco-n e të shndërrohet në një tubacion të ri ndërlidhës Turqi-Greqi-Itali (ITGI) midis bregdetit ionian grek dhe Italisë. Ministri i jashtëm rumun Kristian Xhakonesku ka paralajmëruar se vendi i tij nuk do të votojë për paketën stimuluese në qoftë se ajo përjashton Nabucco. “Qëndrimi i Rumanisë mbështetet nga Austria, Polonia dhe Sllovakia”, tha ai. Po kështu, ministri polak për çështjet evropiane Mikolaj Dovgieleviç tha se kryeministri Donald Tusk do të përpiqej të bindte krerët e BE të mbështesnin Nabucco për të reduktuar vartësinë e bllokut nga furnizimet me gaz të Rusisë. Marrëveshja mbi tubacionin Nabucco u nënshkrua në 2002. Planifikuesit presin kompletimin e fazës së parë të tij në 2014. Sapo të jetë plotësisht në punë, Nabucco do të transportojë deri në 31 miliard metra kub gaz në vit në Evropë nëpërmjet rrugëve ballkanike e atyre të Evropës Qendrore. Vëzhguesit presin që Azerbajxhani të bëhet furnizuesi i parë me gaz i projektit. Vendet e Lindjes së Mesme ka mundësi të bashkohen si furnizues më pas. Gjermania, RËE e së cilës është bashkuar me pesë kompani të tjera të energjisë në konsorciumin e Nabucco, OMV e Austrisë, MOL e Hungarisë, Bulgargaz e Bullgarisë, Transgaz e Rumanisë dhe Botas e Turqisë, është një nga kundërshtarët më të fortë për dhënien e parave evropiane për projektin. Kancelarja gjermane Angela Merkel kohët e fundit tha se problemi më i madh që Nabucco ndesh nuk ishte financimi por gjetja e gazit për të ushqyer tubacionin.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›