Edvini, kuçedra e kryeqytetit, bllokoi pompat, kur Tirana ishte nën ujë
Ka skandalizuar të gjithë publikun, papërgjegjshmëria e administratës së bashkisë, e cila ka refuzuar t’u shkojë në ndihmë banorëve të gjendur nën ujë, për shkak të Edvinit. Lagjes “Kombinat” i është vendosur një bojkot total, për shkak të një pakënaqësie elektorale që ekziston midis forcave të majta, ndërkohë që tek Rruga “Komuna e Parisit”, kryebashkiaku ka ndërhyrë mesnatën e së premtes që të qarkullonte prej andej edhe të vetmen makineri pompë-thithëse, që kishte shkuar me dëshirën e mirë për të ndihmuar. Shiu ka pushuar, por kuçedra mbetet ende në fuqi, për të bërë dëm, sa herë t’i vijë rasti
TIRANE – Zëvendësministri i Brendshëm, njëherësh edhe kryetar i grupit të këshilltarëve të PD-së në Bashkinë e Tiranës, Ferdinand Poni, ka denoncuar dje mospërfilljen dhe arrogancën tipike të kryebashkiakut Edi Rama ndaj përmbytjeve masive të zonave të tëra në kryeqytet ditën e premte, ku më problematike kanë qenë lagjet në zonën e Komunës së Parisit dhe ato të Kombinatit (njësia bashkiake nr 6).
Ndërkohë në qytetin e Tiranës për shkak të përmbytjeve të mëdha gjatë ditës së djeshme në zonat e Komunës së Parisit, Kombinatit dhe te “Vasil Shanto” është angazhuar i gjithë shërbimi zjarrfikës duke bërë të mundur shpëtimin nga përmbytjet për shumë familje. Në dy zonat që paraqiteshin problematike në Tiranë, “Komuna e Parisit”, dhe Kombinat, saktësisht Paskuqan, pas ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, të zjarrfikëseve dhe emergjencave civile situata është e zhbllokuar dhe është në përmirësim e sipër.
Për përballimin e situatës së rëndë nga reshjet e dy ditëve më parë, mësohet se kanë qenë të angazhuara të gjitha strukturat shtetërore.
Ferdinant Poni
Në këtë operacion për përballimin e kësaj situate, kanë munguar vetëm punonjësit e ndërmarrjeve të varura nga bashkia e Tiranës, ndërsa nuk është dukur dje, për të dytën ditë radhazi, as kryetari i bashksië së Tiranës, Edi Rama. “Ndërsa kudo në Shqipëri, nga krejt strukturat qeveritare dhe administratat vendore pati superangazhim për të përballur situatën, krejt e kundërta ndodhi në Tiranë, në Tiranën e bunkerizuar, në Tiranën e qytetarëve të lënë në mëshirë të fatit, në Tiranën ku është mbyllur çdo rrugë,çdo dalje. Tirana dhe qytetarët e saj në Komunën e Parisit dhe përreth, tek fabrika e qelqit, në Kombinat, tek Bregu i lumit, qytetarë të Tiranës, mjedise të tyre u përmbytën dhe Rama ishte zhdukur, Tirana nuk kishte kryetar, paçka se përmbytja ishte shkaktuar nga kryetari dhe për shkak të kryetarit, për shkak te mungesës të tij, të administratës së tij. Në kushtet kur në një mot edhe më të keq nuk ndodhin përmbytje në vendet tradicionalisht problematike e të vështira si Lezhë e Shkodër, Fier Vlorë, Berat apo Gjirokastër, gjithkush e kupton dhe është për të ardhur keq që në Tiranën e kësaj administrate, sa të paaftë e të mjerueshme, aq edhe të pazonjën, të korruptuar dhe abuziviste, u bë e disata herë që përmbyten për shkak të mungesës, paaftësisë, abuzivizmit dhe korrupsionit të një njeriu si Rama që ka pushuar së qeni Kryetar i Bashkisë së Tiranës, që dëmton interesat e qytetarëve të Tiranës, kudo dhe kurdoherë, kur jep dhe kur nuk jep leje ndërtimi, kur betonizon Tiranën dhe tani si edhe herë të tjera, kur e përmbyt Tiranën”, denoncoi Ferdinant Poni indiferentizmin dhe shpërfilljen e djeshme të kryebashkiakut Edi Rama.
Sipas tij Ministria e Brendshme dhe shërbimet e saj, ato kundra zjarrit dhe shpëtimit, Policia e Shtetit, shërbimet në prefekturë si edhe mbrëmë do të jenë pranë qytetarëve, do t’i ndihmojnë ata kudo dhe kurdoherë.
“Komuna e Parisit”
“Komuna e Parisit” është gdhirë dje e përmbytur dhe pa energji elektrike pas natës së parmbrëmshme ku rrugët, pallatet dhe gjithçka u ndodh nën mbretërinë e ujit, si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut. Gjithçka poshtë ndërtesave të larta shumëkatëshe u izolua nën ujin e dendur.
Banorët kanë denoncuar se si mbrëmjen e së premtes, ndërsa rreth orës 22, një autobot ishte shfaqur në rrugën “Kkomuna e Parisit”, për të thithur ujërat, kryesisht të garazheve të përmbytura të pallateve, ai është larguar vetëm disa minuta më pas, pas një telefonate në formë urdhri që drejtuesi i autobotit kishte marrë. “Askush nuk na ndihmon, edhe greku na ka ndihmuar më shume, kur kemi pasur përmbytje atje”, u shpreh e pezmatuar një banore e rrugës “Komuna e Parisit”.
Puna për të rikthyer çdo gjë si në fillim, ka nisur që në orët e para të mëngjesit, nga vetë banorët, të ndihmuar vetëm nga zjarrfikësit, ndërsa askush nga punonjësit e ndërmarrjeve të bashkisë së Tiranës, nuk është dukur përgjatë gjithë ditës së djeshme.
Dëmet janë të pallogaritshme dhe për më shumë askush nga këto biznese të vogla në dukje, nuk pretendon të kompensohet për dëmin e shkaktuar. “Më njoftuan se po përmbytej dyqani, erdha dhe pashë që uji kishte arritur të shkatërronte gjithçka brenda, malli është jashtë funksionit. Hapa pustetat por nga to dilte më shumë ujë. S’dimë ku të ankohemi, askush nga bashkia nuk erdhi, asnjë prej tyre nuk është dukur as dje as sot”, u shpreh një tregtar i prekur nga përmbytja.
Komuna e Parisit, një prej lagjeve më të populluara në Tiranë, përveç përmbytjes, i duhet të vuajë dhe një tjetër pasojë, atë të mungesës së energjisë elektrike.
Kjo për faktin se transformatorët që furnizojnë këto pallate me energji, ndodhen pikërisht në këtë garazh. Të vetmit që gjejmë në punë, janë 3 - 4 punëtorë të zjarrfikëses, të cilët nëpërmjet kësaj pompe thithëse, kërkojnë të nxjerrin ujin nga garazhi, por për ta arritur, ata thonë se ju duhet një ditë e tërë. Uji brenda tij ka arritur një nivel të larte, duke izoluar me dhjetëra makina poshtë tij si dhe transformatorët e energjisë elektrike. Për çdo vit, kjo lagje është e destinuar të përfundojë nën ujë. Shtëpi, parkingje, dyqane dhe rrugë përmbyten nga shirat për shkak të mos funksionimit të kolektorëve shkarkues.
Masat e marra
“Ministria e Brendshme u ka kërkuar shtabeve lokale të Emergjencës të ndjekin situatën 24 orë pa ndërprerje”. Kështu ka bërë të ditur dje, drejtori i Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme, Fredi Olli.
Për sa i përket gjendjes problematike që u krijua dje në Synej të Kavajës, ku për shkak të rrëshqitjes së tokës janë dëmtuar totalisht pesë shtëpi dhe gjashtë shtëpi të tjera janë në rrezik shembjeje, Olli sqaroi se, “Policia ka marrë masa për evakuimin e të gjithë banorëve dhe sendeve familjare. Shtabi lokal i emergjencës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile po vlerësojnë situatën në vend. Është bërë vlerësimi paraprak nga institucione të specializuara dhe do të kryhet sa më shpejt evidentimi i plotë i dëmeve për të parë mundësinë e dhënies së ndihmës”. “Në përgjigje të situatës së krijuar si pasojë e kushteve të rënduara atmosferike, Policia e Shtetit, në zbatim të detyrave të ngarkuara nga Shtabi Qëndror i Emergjencës, Ministria e Brendshme dhe detyrave funksionale që Policia e Shtetit ka në ndihmë të qytetarëve, janë marrë masa në gjithë vendin për përballimin e situatës”, sqaroi zëdhënësi i Policisë së Shtetit Klodian Branko.
Sipas Brankos, mësohet se, “Është shpallur gjendja e gatishmërisë për gjithë efektivat e Policisë së Shtetit duke kaluar me shërbime të përforcuara, është ngritur shtabi i emergjencës së Drejtorinë e Përgjithshme, është siguruar bashkëpunimi dhe bashkërendimi i gjithë masave me emergjencat civile si dhe shtabet lokale të kryesuara nga Prefektët e Qarqeve. Gjithashtu, shërbimet e Policisë së Shtetit patrullojnë të gjitha rrugët kryesore të vendit”.