E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali me spotin e CNN, Pango bëri tender fiktiv

GSH” zbulon raportin e KLSH-së ku tenderi për përcaktimin e firmës fituese për spotet televizive për turizmin në CNN, është shoqëruar me shkelje ligjore dhe se ish-ministri Pango paracaktoi fituese një kompani fantazëm. 

TIRANE- Tenderi për reklamën e promovimit të turizmit shqiptar në kanalin televiziv prestigjioz 'CNN', që kushtoi rreth 300 mijë euro, është bërë në shkelje të hapur të ligjit të prokurimit të fondeve publike. Denoncimi vjen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, në raportin vjetor të monitorimit të Ministrisë së Kulturës për vitin 2008.

Në buletinin e konkluzioneve theksohet se, kompania holandeze 'CCCP Rotterdam' "është parazgjedhur para zhvillimit të tenderit si dhe oferta ekonomike e saj është paraqitur në tender fiktivisht". Lajmi publikohet në “Gazeta Shqiptare” e cila shkruan se nga kontrolli i kryer mbi zbatimin e procedurave të prokurimit, KLSH-ja ka evidentuar gjashtë shkelje të rënda ligjore.

Sipas KLSH-së fondi limit për prodhimin e reklamës i përcaktuar në vlerën 37 mln lekë nuk është i argumentuar dhe se nuk ka analizë për llogaritjen e tij. KLSH konstaton se transmetimi i këtij spoti nuk është tenderuar por në urdhrin e ish-ministrit Pango ishtë paracaktuar që transmetimi i reklamës të bëhej në 'CNN' .

KLSH thekson se kompania holandeze, "CCCP Rotterdam” ka paraqitur ofertën më të madhe se firmat tjetër, por është kualifikuar e para dhe se kjo firmë ishte parazgjedhur fituese para zhvillimit të tenderit si dhe oferta ekonomike e saj ishte paraqitur në tender fiktivisht. Sipas dokumentacionit të firmës kjo shoqëri është regjistruar në muajin mars 2007 në gjykatën holandeze dhe në regjistrin e biznesit të këtij shteti, si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar me një staf të punësuarish prej 2 personash.

"Pra, koha e shkurtër e krijimit të kësaj shoqërie, numri i vogël i të punësuarve si dhe mosparaqitja nga ana e saj e një kontrate me 'CNN', tregon se kjo shoqëri nuk mund të ketë qenë partner me 'CNN' në fushën televizive, siç thuhet nga komisioni në procesverbalin e datës 3-5.10.2007, të mbajtur mbi studimin e tregut në fushën e prodhimit dhe transmetimit të spoteve televizive. Ky veprim bie në kundërshtim me pikën 2.3, të kreut II, të VKM nr.623, datë 29.09.2007", - përfundon raporti i KLSH-së, botuar sot në “Gazeta Shqiptare”.

Vetë ministri i Kulturës Ylli Pango informoi për transmetimin e reklamës në CNN dhe se sipas tij kjo reklamë do të tërheqë mijëra turistë evropianoperëndimorë dhe lindorë, kuriozë për Shqipërinë" .
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›