Lehtësia e padurueshme e importimit
Askush nuk mund të këmbëngulë se vetëm ekonomia, kjo vendlindje e importit është kah e merrë në konsideratë atë; askush nuk mund të ngulë këmbë se sall në këtë fushë jetësore ky nocion vjen në shprehje si praktikë... Përdorimi në rrafshet e tjera sikur i ka humbur kuptimin edhe aty prej nga origjinon. E kemi të pranishëm në të gjitha sferat, të mos i numëroj tash secilën veç e veç me emra. Ç’tendencë e përgaztë për konkurrencë! Sa interesante është që ta konstatoj atë që është e njohur: ne nuk eksportojmë asnjë ujë mineral diku. Gazetaria kosovare në vend që të përkushtohet në luftë kundër këtij fenomeni, ajo vetë po kthehet pikërisht në prijatare të tij! Gazetarisë së ca qendrave në Kosovë, ma ha mendja që ia ka lakmi edhe ekonomia se si e vë në jetë importimin. Një gazetë në Kosovë me të parë, dëgjuar a lexuar se dikush ka shpërdoruar me pushtetin në Shqipëri, konsultoi sirtarët e vitit të ikur kaherë 2002, për të treguar se edhe këtejpari ka yje që duhet fikur. E importon këndej një gjë që kur e ndesh publiku ta kujton atë njeriun që pi ujë në mëngjes ende pa ngrënë asgjë. Ngjashëm sikundër rasti i mësipërm, vetëm pak muaj më parë na ndajnë nga importimi tjetër i gazetës kosovare, ku u "huazua" tema e komunizmit. Penat e gazetës merrnin edhe argumentet pro et contra të komentatorëve tiranas dhe me ca modifikime i plasonin për publikun, ama gaboheshin se mediat e atjeshme mund të ndiqen edhe nga të tjerët. Njëmend ishte gjë e marrëzishme kur auditori torturohej me provokacione gati të tipit: mos G.G. Marquez e vodhi të madhin Sabri Hamiti duke ia ngjitur librit që e bëri të famshëm në botë titullin: Njëqind vjet vetmi. Ku jam tani? Po besoj që në kufijtë e absurdit!
Mungesa e lulëzimit në djerrinën kosovare të quajtur gazetari, nuk mund të kompenzohet me importime prej jashtë. Në këtë pjesë të botës gazetarët janë moshatarë me mundësi të barabarta për të shprehur zotësi. Pse duhet nisur gjithmonë pas Shqipërisë? Mandej pse duhet ecur mbi fërkemët e saj? Pse ta marrim vesh nga tjetërkush që s’jetojmë asgjëkund? Diçka më thotë që kur është në pyetje origjinaliteti gazetar, më fer është të dështosh komplet edhe në përpjekjet për eksportim se sa të kesh sukses në importim.