Brukseli përballë Hungarisë

Që nga 1 janari në Hungari kanë hyrë në fuqi disa ligje që cenojnë pavarësinë e Bankës Qendrore Hungareze, lirinë e shtypit dhe sovranitetin e gjykatësve. Kryeministri hungarez, Viktor Orban dhe partia e tij Fidesz kanë vendosur në parlament që kjo bankë, bashkë me autoritetin e mbikëqyrjes financiare, të shkrihen në një institucion. Veç kësaj, zyrtarët kryesorë të këtij institucioni në të ardhmen do të emërohen nga qeveria.
Për këtë shkak, BE’ja mund të vendosë që të premten të marrë masa kundër Hungarisë.
Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, i ka dërguar muajin e kaluar dy letra Viktor Orban’it, ku ai i tërheq vëmendjen kryeministrit hungarez për shkelje të mundshme të ligjeve të BE-së.
Aktualisht KE po shqyrton rastet se ku mund të ketë shkelur ligjet Hungaria. Në rast se KE konkludon se Hungaria i ka shkelur ligjet, atëherë kjo instancë e BE-së kërkon ndryshime dhe mund ta padisë Hungarinë në Gjykatën Evropiane. Efekti i këtyre padive veçse është i kufizuar, shpjegon Daniel Groß nga Qendra për Politikën Evropiane në Bruksel.
"Po qe se një qeveri nuk i ka dalë të zbatojë një direktivë evropiane për shembull mbi kapëset e fletëve, atëherë vjen Gjykata Evropiane dhe thotë: Ti qeveri duhet të paguash 1 milionë euro gjobë deri sa të kesh bërë detyrën. Ajo thotë, në rregull, këtë e rregullojmë shpejt e shpejt. Por kur vjen puna për të ndryshuar kushtetutën, ateherë gjërat ndryshojnë, kjo është si të kafshosh gurin."
Brukseli ka shënjuar me të kuqe 20 ndryshime të kushtetutës hungareze. Por, Viktor Orban refuzon të ketë shkelur ligjet evropiane.
"Akuza se demokracia hungareze nuk është në nivelin e duhur, nuk qëndron. Ky është një sulm", thotë ai.
Ndërkohë janë rritur zërat kritikë ndaj Hungarisë. Ministri i Jashtëm francez, Alain Juppe, thotë se ai e sheh problematike kushtetutën hungareze, dhe Komisioni Evropian, sipas Juppe, duhet të kontrollojë nëse kjo kushtetutë përputhet me ligjin e së drejtës dhe parimet demokratike në BE.
Kryetari i liberalëve në Parlamentin Evropian, Guy Verhofstadt ka kërkuar madje sanksione kundër Hungarisë. Sipas tij BE duhet të reagojë me vendosmëri ndaj ndryshimeve kushtetuese në Hungari. Kërkesa të njëjta vijnë edhe nga socialdemokratët në Parlamentin Evropian.
Aktualisht ndodhen nën presion si Hungaria ashtu edhe vetë KE. Hungaria që për momentin ndodhet para kolapsit financiar rrezikon me ndryshimet e reja kushtetuese të braktisë rendin demokratik në BE. Madje në BE dëgjohen zëra për përjashtimin e këtij vendi nga BE. Por edhe Komisioni Evropian ndodhet nën presion, se ai nuk mund të lejojë të jetë i pavëmendshëm ndaj një anëtari, pasi rrezikon vetë besueshmërinë e tij. DW