E Diel, 1 Nëntor 2026

Brukseli vëzhgon nga afër konfliktin qeveri-pushtet vendor

Eurodeputeti Farm: Duhet të plotësoni kushtet për anëtarësimin

Mbërrin në Shqipëri një delegacion i Parlamentit Europian për çështje të qeverisjes vendore. Goran Farm është eurodeputeti suedez, i cili ka ardhur në Tiranë për të treguar se edhe qeverisja vendore është nën lupën e Brukselit. Vizita e eurodeputetit suedez rastisi në të njëjtën kohë edhe me përplasjen e Partisë Demokratike me Bashkinë e Tiranës. Pushteti lokal është përfitues i fondeve të Bashkimit Europian dhe si rrjedhojë deri në marrjen e statusit Shqipëria duhet të ketë përgatitur infrastrukturën për decentralizimin e këtyre fondeve nga qeveria.

Reformat

Parlamenti Europian, pas vëzhgimit për krizën politike dhe reformave të qeverisë “Berisha”, i ka ndezur sinjalet e monitorimit edhe drejt pushtetit lokal. Eurodeputeti Farm ka kërkuar dialog politik për realizimin e reformave në një takim të shoqatës së komunave, ku merrte pjesë edhe Kryeministri Sali Berisha. “Tashmë zgjerimi do të bëhet në bazë të meritave individuale, të plotësimit të standardeve strikte të BE-së. Reformat ekonomike, politike, sociale e gjyqësore duhet të vazhdojnë dhe për ato kërkohet dialog politik. Ju jeni vend potencial kandidat dhe keni mbështetjen tonë për statusin, liberalizimin e vizave, por sigurisht pas plotësimit të kushteve që përmban rezoluta e sapovotuar”, tha Farm. Eurodeputeti suedez theksoi se “si vend potencial kandidat Shqipëria dhe njësitë vendore të saj për rrjedhojë, përfitojnë fonde nga BE-ja dhe deri në marrjen e statusit vendi duhet të ketë përgatitur infrastrukturën për decentralizimin e këtyre fondeve nga qeveria”. Në Tiranë, eurodeputeti suedez Goran Farm deklaroi se tashmë ky është një proces që bazohet vetëm në meritat individuale të secilit shtet. Ai risolli në vëmendje kushtet që rezoluta e miratuar nga Komisioni i Jashtëm i PE-së ka lënë për Shqipërinë, për plotësimin e standardeve. Parlamenti Europian nuk e ka përqendruar vëmendjen jo vetëm në statusin e kandidatit, reformat politike apo liberalizimin e vizave, por edhe bashkëpunimin qeveri-pushtet vendor.

Plani mikrokredi

Apeli i një prej deputetëve të Parlamentit Europian, njëkohësisht anëtar i delegacionit për çështjet e qeverisjes vendore, u bë në prani të Kryeministrit Berisha, gjatë një aktiviteti të shoqatës së komunave, të cilët do të njiheshin me atë që u cilësua ABC-ja e qeverisjes vendore sipas praktikave europiane. Ndryshe nga herët e tjera, këtë herë Kryeministri Berisha u tregua më i rezervuar në marrëdhëniet me pushtetin lokal, duke mos pasur kritika për punën e kryetarëve të komunave, por diskutuar me ta për strategji bashkëpunimi. Berisha ka ritheksuar edhe një herë tjetër premtimin e tij për shpalosjen e një plani mikrokrediti, në mënyrë që projektet të mos mbeten vetëm në dorë të buxheteve lokale apo grantit të kushtëzuar që qeveria akordon për ta çdo vit nga buxheti i shtetit. “Le të vendosim së bashku për një kapitull të ri dhe një luftë të ashpër e të vendosur kundër varfërisë. Të dashur kryetare e kryetarë komunash, askush nuk e ka më shumë në dorë se ju këtë betejë dhe unë ju garantoj se qeveria do të qëndrojë fuqishëm prapa jush. Ju e njihni mirë territorin e komunave tuaja dhe unë e njoh. Kudo që shkoj, në çdo vend, unë konstatoj potenciale të mëdha të pazhvilluara, potenciale të mëdha të pashfrytëzuara”, tha Kryeministri Berisha.

PD vs Bashkia Tiranë

Deputetë të PD-së janë rreshtuar në radhë për të vendosur me shpatulla pas murit kryebashkiakun e Tiranës. Java ka nisur me deklaratën e Gent Strazimirit, i cili i ka kërkuar Bashkisë së Tiranës të tregojë paratë dhe ka pasuar një ditë më vonë me deklaratën e deputetit të PD-së, Florion Mima, ish-ministër i Financave, i cili u ka bërë thirrje qytetarëve të Tiranës të mos paguajnë taksat e bashkisë, përveç 10% që është niveli tregues i taksës për biznesin e vogël.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›