E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi Obama- Dalai Lama, Pekini kritika Uashingtonit

17-07-2011 / Gazeta 55

Kina akuzon udhëheqësin tibetian për trazirat në pllajën e Himalajes

Pas kritikave të ashpra të Kinës për konfliktin e borxhit të SHBA-së, tani takimi mes Presidentit Barack Obama dhe Dalai Lama-s, rrit edhe më tej pakënaqësinë në Pekin.
Kina e ka parë takimin si një rrezik për marrëdhëniet bilaterale. “Një veprim i tillë është përzierje në punët e brendshme të Kinës, lëndon ndjenjat e popullit kinez dhe dëmton marrëdhëniet kineze-amerikane”- citon agjencia e lajmeve Xinhua zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme në Pekin.
Kina kërkon që SHBA të ndalojë “ndërhyrjet” dhe të ndërpresë mbështetjen e “lëvizjes seperatiste të tibetianëve”. Udhëheqja në Pekin e akuzon Dalai Lama-n se po punon për shkëputjen e Tibetit nga Republika Popullore dhe e bën atë përgjegjës për trazirat në pllajën e Himalajes.
76 vjeçari, i cili u largua nga Tibeti i pushtuar nga Kina në vitin 1959 është nderuar me çmimin Nobel për paqe në vitin 1989 për angazhimin e tij për një zgjidhje paqësore të konfliktit dhe për më shumë autonomi për rajonin.

Takimi zyrtar Obama – Lama
Për herë të fundit presidenti amerikan Obama e kishte takuar kreun shpirtëror të tibetianëve në shkurtin e vitit të kaluar. Ai u prit në “Dhomën e Hartave” të Shtëpisë së Bardhë në Uashington dhe shkaktoi zemërimin e udhëheqjes kineze. Por sikurse atëherë, edhe tani presidenti amerikan u përpoq që t’i reduktojë disi formën zyrtare takimit. Pra takimi të shtunën (16.07.2011) nuk u zhvillua në Zyrën Ovale, por përsëri në “Dhomën e Hartave”. Përfaqësuesit e medieve nuk u lejuan të ishin të pranishëm.
Pas një bisede 45 minutash me kreun e budisteve, Obama theksoi se sa e rëndësishme është mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe që Tibeti edhe më tej do të trajtohet nga SHBA si pjesë e Kinës.

Udhëtimet për në Tibet, të kufizuara
Në Tibet autoritetet kineze kanë kufizuar edhe me tej udhëtimin e turistëve në rajon lidhur me festimet zyrtare, për siç quhet “çlirimin paqësor” të Tibetit nga trupat kineze para gati 60 vjetësh.
Qysh prej qershorit nuk lejohen me pushues të huaj të udhëtojnë për në Tibet, autoritetet vështirësuan tani edhe hyrjet për turistët kinezë, bëjnë të ditur qendrat e ndryshme turistike kineze. Numri i biletave do të jetë i kufizuar dhe rrugët për në Tibet do të mbikëqyrën ashpër, thuhet më tej. Brenda territorit të Tibetit janë ngritur pika të tjera kontrolli. Organizata joqeveritare “Fushata Ndërkombëtare për Tibetin”, (ICT) bëri të ditur se kryeqyteti tibetian Lhasa është “ndarë nga pjesa tjetër e botës”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›