Qeveria themelon Akademinë Diplomatike
Qeveria po ashtu ka miratuar ndryshimin dhe plotësimin e dy projektligjeve, atë për ndërtim dhe atij për ndërmarrje publike.
Ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, duke folur për ndryshimin dhe plotësimin e projektligjit për ndërtim, ka thënë se projektligji në fuqi ka qenë joefikas dhe ka mundësuar lejimin e ndërtimeve të egra.
“Ligji aktual i ndërtimit i cili është në fuqi është treguar joefikas në zbatim, ka kontribuar në përhapjen e ndërtimeve joformale, pra ndërtimeve ilegale dhe ka pas ndikim negativ në mjedisin afarist në Kosovë. Gjatë shqyrtimit të Ligjit aktual kemi ardhur po ashtu në përfundim se amandamentimi i këtij ligji nuk është i mjaftueshëm fakti se është parë se ka nevojë për ndryshimin e më shumë se 50 për qind të përmbajtjes së këtij ligji, pra kemi ardhur në përfundim dhe jemi përcaktuar për ridraftimin total të këtij ligji”, ka thënë ai.
Ministri Gashi ka shtuar se projektligji i ri reflekton në rekomandimet e Bankës Botërore dhe është në harmoni të plotë me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe pritet t’i eliminojë barrierat biznesore, të ulë shpenzimet e bizneseve, dhe në të njëjtën kohë siguron shëndetin dhe sigurinë publike.
Kurse kryeministri Thaçi kërkoi nga ministri i Mjedisit që sa më parë të krijohet baza ligjore që të dihet fati i ndërtimeve pa leje.
“Në çdo rrethanë i nderuari ministër ju ftoj që sa më shpejt që është e mundur të rregullohet baza juridike baza e legalizimit të ndërtimeve që janë aktualisht pa leje që kanë shkuar vetëm në bazë të vullnetit të lirë. Kjo çështje duhet të rregullohet definitivishtme një bazë juridike dhe të përmbyllet sa ma shpejt që është e mundur”, ka thënë ai.
Pas diskutimeve, ndryshimi dhe plotësimi i këtij projektligji u miratua unanimisht nga qeveria.
Projektligji tjetër që u diskutua në këtë mbledhje ishte ai për ndërmarrjet publike, për të cilin foli zëvendëskryeministri Kuçi.
Ai tha se ndryshimi dhe plotësimi i këtij projektligji po bëhet në kuadër të miratimit të ligjeve në kuadër të përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.
Kuçi shtoi se projektligji në fjalë është në përputhje edhe me legjislacionin e BE-së.
“Edhe ky projektligj për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për ndërmarrjet publikë është në kuadër të këtyre ndryshimeve dhe ka për qëllim dy gjëra: e para, të bëjmë ndryshimet që janë në bazën juridike të përfaqësimit të misioneve civile ndërkombëtare që kanë qenë në Kosovë dhe tani ku do të hiqet prezenca e tyre dhe po ashtu ka për qëllim ndryshimin dhe përcaktimin e kornizës ligjore për pronësinë e ndërmarrjeve publike”, ka thënë ai.
Ndërkaq, kryeministri Thaçi tha se ndryshimi dhe plotësimi i të dyja projektligjeve janë në përputhje me pakon e Ahtisarit dhe shtoi se sa më parë këto dy projektligje do t’i dorëzohen edhe Kuvendit të Kosovës. Gjithashtu, edhe ky projektligj u miratua unanimisht nga Qeveria e Kosovës.
Mirëpo, debat më i nxehtë në mes kabinetit qeveritar u zhvillua rreth pikës së rendit të ditës për themelimin e Akademisë Diplomatike të Kosovës.
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, para kabinetit qeveritar, duke u bazuar në ligjin për shërbimet e jashtme, kërkoi që të mbështetet themelimi i Akademisë Diplomatike të Kosovës.
“Në bazë të ligjit për shërbim të jashtëm të Republikës së Kosovës, parashihet themelimi i Akademisë Diplomatike të Kosovës dhe ne si Ministri e Punëve të Jashtme mendojmë se është koha e nevojshme që të ndodh një themelim i tillë”, ka thënë ai.
Ministri Hoxha më tej ka folur për rolin që do të ketë kjo akademi, duke thënë se ajo do ta luaj një rol të rëndësishëm në diplomacinë e jashtme të Kosovës.
“Akademia Diplomatike e Kosovës së pari parasheh organizimin dhe udhëheqjen e trajnimeve të stafit diplomatik dhe konsullor, së dyti parasheh marrjen e aktiviteteve hulumtuese si dhe publikimin e revistave dhe të studimeve në fushën e politikës ndërkombëtare dhe të diplomacisë. Së treti, ky institucion duhet të organizojë konferenca dhe seminare në fushën e politikës ndërkombëtare dhe të diplomacisë”, ka thënë ai.
Ndërkaq, pas një debati për ndryshimin e disa termeve dhe financimin e udhëheqjes së kësaj Akademie Diplomatike, në fund u miratua edhe themelimi i saj.