E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brusha e poetit

Në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës u përurua monografia për piktorin dhe shkrimtarin Rexhep Ferri e shkruar nga studiuesi Gëzim Qëndro.

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Besim Bokshi, u shpreh se Rexhep Ferri është krijues i niveleve të larta në artin e pikturës, i cili, sipas Bokshit, është çmuar si i tillë edhe nga studiues të pikturës evropiane.

“Nga nivele të dashurisë e të shqetësimeve për njeriun piktura e Rexhep Ferrit qëndron njerëzisht e ndritur”, tha Bokshi.

Autori i monografisë, Gëzim Qëndro, u shpreh me këtë rast se profesor Rexhepi i takon brezit të piktorëve modernistë të Kosovës dhe është njëri ndër personalitetet më të spikatura të tij përkrah artistësh të tjerë të shquar të këtij brezi si Muslim Mulliqi, Tahir Emra, Engjëll Berisha, Agim Çavdarbasha, Nusret Salihamixhiq.

“Ata ishin të parët që krijuan një traditë të lidhur ngushtë me zhvillimet bashkëkohore në kulturën e Evropës Perëndimore, duke krijuar një hapësirë emancipimi dhe lirie krijuese, e cila nuk ishte njohur më parë në artin pamor të Kosovës dhe më keq akoma, nuk pranohej në anën tjetër të kufirit ku kishte filluar vetizolimi absurd dhjetëravjeçar”, tha Qëndro.

Akademik Eqrem Basha u shpreh se kjo vepër përveçse dëshmon përkushtimin e ASHAK-ut dhe Seksionit të saj të Arteve, për t’u dhënë rëndësinë që meritojnë dhe për t’i përkrahur deri në fund këto lloj botimesh, paraqet njëkohësisht dhe një ngjarje kulturore për gjithë opinionin artdashës dhe kontribuon për prezantimin sa më të denjë të figurave të rëndësishme të krijimtarisë sonë artistike të këtyre fushave. Basha tha se libri ofron të gjitha llojet e informatave rreth tij dhe veprës së tij.

“Monografia përfshin pothuaj gjithë opusin e Ferrit, bilës edhe skicat, vizatimet aplikative, kopertina librash dhe pllakate, aktivitete me të cilat ishte marrë dendur në një periudhë më të hershme të krijimtarisë së tij”, u shpreh Basha.

Ndërkaq, Rexhep Ferri i falënderoi të gjithë ata që kontribuuan për botimin e kësaj monografie.

“Nga dritarja dhe ngjashmëria kam kapur një ‘mjeshtri’. Ashtu si besoj, ashtu si di, ashtu si më pëlqen. Botën që më tërheq, që më qet edhe jashtë gravitacionit nuk di ta paraqes ndryshe, një hap përtej përsëritjes kah drita”, tha ai.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›