E Diel, 1 Nëntor 2026

Bualli & CO, Apolonia beson më shumë te të rinjtë

Nga BUJAR RAMA

Trajneri durrsak, Stavri Nica, u jep përparësi të rinjve të Apolonisë, që pritet ta ngrenë lart nivelin e skuadrës në të ardhmen

Ekipi i të rriturve të Apolonisë ka kaluar një fazë të parë jo fort të këndshme dhe këtë e tregon edhe renditja në tabelën e klasifikimit. Megjithatë, duhet theksuar se një ndër elementet më pozitive ka të bëjë pikërisht me aktivizimin në skuadrën e parë të disa futbollistëve të rinj. Kështu, krahas Erjon Papingut dhe Kristaq Jovanit, në shumë takime pankina e Apolonisë së rritur është përbërë edhe nga futbollistët Eugen Bualli, Gerald Lamaj dhe Bruno Babaj.

Eugen Bualli

Një nga lojtarët që konsiderohet talent dhe që është vlerësuar pozitivisht në prezantimet e veta te bardhejeshilët e rritur ka qenë mbrojtësi Eugen Bualli. Ai ka lindur më 17.02.1994 dhe në kampionat ka pasur besimin e trajnerit Dhimitër Papuçiu në dy takime, kundër Pogradecit në Fier, ku është aktivizuar 45 minutat e para, dhe në javën e fundit të superligës, ku ka zëvendësuar një tjetër futbollist të ri, Bruno Babajn, në minutën e 50-të. Në të dyja ndeshjet e luajtura, Bualli ka pasur përkushtimin dhe dëshirën për të dhënë më të mirën në fushën e lojës, duke bërë përfaqësime mjaft dinjitoze.

Ai është dalluar për qetësinë në fushë, duke u shfaqur pozicional dhe i kujdesshëm në zbatimin e detyrave të ngarkuara nga trajnerët. Ndihem mirë që jam përfshirë në ekipin e parë dhe që më kanë besuar në takime të ndryshme. Gjithmonë e kam pasur ëndërr të luaja për Apoloninë dhe tani kjo ëndërr më është bërë realitet.

Fanella e skuadrës sonë, me traditën dhe historinë që ka mbi supe, ka peshë të rëndë, ndaj dhe emocionet kur zbret në fushë për të përfaqësuar Apoloninë janë të natyrshme. Kam luajtur në dy ndeshje dhe kam ndier përkrahjen e të gjithë shokëve të skuadrës, sidomos të kapitenit Julian Gërço, i cili është jo vetëm një ndër futbollistët më të mirë në Shqipëri, por një ndihmë e madhe për lojtarët e rinj me këshillat e tij, – shprehet fillimisht i riu Bualli.

Kërkues nga vetja

Mbrojtësi i talentuar i fierakëve deklaron se nuk ngutet dhe nuk është i fiksuar pas minutazhit, por ai pret me qetësi të arrijë mintazh më të gjatë në ndeshjet zyrtare. Unë e di që nuk arrihet menjëherë gjithçka. Vendimi për të luajtur ose jo u përket trajnerëve. Unë do të jem gati sa herë që ata të më kërkojnë. A jam i kënaqur me atë që kam bërë gjatë dy takimeve? Sigurisht që jo.

Unë jam kërkues ndaj vetes dhe mund të kisha bërë më tepër. Gjithsesi, do të kem shumë kohë përpara dhe shumë mundësi të tjera dhe unë do të përpiqem që në fushë të japë më të mirën, – është shprehur mbrojtësi i ri i skuadrës fierake, Eugen Bualli, i cili nuk harron të adresojë një përshëndetje të veçantë ndaj trajnerit të skuadrës së të rinjve, Piro Mali, për punën e palodhur që ky i fundit ka bërë jo vetëm me Buallin, por me gjithë grupin e futbollistëve të rinj, të cilët çdo ditë e më tepër po bëhen pjesë e Apolonisë së madhe.- Janë të shumtë ata me të cilët jam stërvitur, po profesor Piro është një trajner të cilit i detyrohem shumë,, – e përmbyll fjalën e tij mbrojtësi i talentuar fierak, Eugen Bualli.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›