E Diel, 1 Nëntor 2026

Idrizi: Kisha dy ëndrra, njëra mu realizua

Nga Gjergj KOLA

Ka debutuar me Vllazninë në moshën 17-vjeçare në ndeshjen e kupës, ndaj Bylisit, tashmë synon kombëtaren U-19

Për sulmues Vllaznia nuk ka vuajtur asnjëherë. Nuk po vuan as tani, sepse ka dhe vazhdon të nxjerrë elementë shumë të mirë nga ekipet e akademisë. Njëri prej tyre është Hysmir Idrizi. Sezonin e kaluar me 17-vjeçarët ka shënuar 30 gola, me një mesatare 1 gol për ndeshje. Ai ka qenë pjesa më e rëndësishme e ekipit në fazën sulmuese, teksa me golat e tij e ka ndihmuar Vllazninë të shpallet kampione në sezonin e kaluar.

Sivjet është tjetër histori. Ka kaluar me të rinjtë dhe, kuptohet, për moshën e vogël nuk ka gjetur hapësirat e duhura për të luajtur. Megjithatë, ai sivjet ka shënuar 6 gola në 6 ndeshjet e luajtura si titullar, ndërkohë që në ndeshjet e tjera ka hyrë si zëvendësues. Edhe këtu mesatarja duket shumë e kënaqshme me një gol për ndeshje.

Ëndrra e realizuar

Në prononcimin e tij për Sporti shqiptar, në lidhje me ecurinë e deritanishme, Idrizi ka thënë: Çdo lojtar kërkon që të luajë sa më shumë, por unë jam munduar të bëj më të mirën e mundshme sa herë që më është dhënë mundësia. E rëndësishme është të përkushtohem maksimalisht në stërvitje, në mënyrë që të rris nivelin tim dhe të bëj më të mirën për Vllazninë. Hysmir Idrizi pak muaj më parë ka mbushur 17 vjeç dhe kuptohet që e ardhmja është në anën e tij.

Si çdo djalë i ri, kuptohet që ka ëndrrat për këtë sport shumë të dashur. Njërën prej tyre e ka realizuar vetëm pak ditë më parë. Tjetrën i mbetet ta realizojë në të ardhmen. Se çfarë janë këto ëndrra i zbulon vetë Idrizi: Qysh në moshë shumë të vogël kam pasë dy ëndrra: e para, ka qenë debutimi me fanellën e Vllaznisë në moshën 17-vjeçare në një ndeshje zyrtare dhe ia arrita, sepse luajta në Ballsh në ndeshjen e kupës javën e kaluar. Ëndërra më e madhe kuptohet është që një ditë të jem pjesë e kombëtares shqiptare të futbollit.

Dëshira kombëtare

Të kesh ambicie, është shumë pozitive, aq më tepër për një djalosh të ri, që kërkon gjithnjë më të mirën në karrierën e saponisur. Të parashikosh se do të luash me ekipin  e parë qysh në moshën 17-vjeçare, është diçka e veçantë. Me Idrizin kjo gjë u realizua. Ai ka luajtur të martën e kaluar, për disa minuta, në ndeshjen e kupës, që Vllaznia zhvilloi ndaj Bylisit në Ballsh, duke regjistruar debutimin e tij me fanellën kuqeblu në një ndeshje zyrtare. Në këtë mënyrë, ëndrra e parë u realizua.

Ajo që mbetet është realizimi i ëndrrës së dytë: aktivizimit me kombëtaren. Për ta bërë këtë gjë, duhet shumë punë e djersë. Së pari, për të bërë emër me Vllazninë, pastaj për të kaluar etapat me ekipet kombëtare. Sulmuesi 17 vjeçar Idrizi duket në rrugë të mbarë për këtë gjë, teksa ditët e fundit është grumbulluar me kombëtaren e 19-vjeçarëve nga trajneri Strakosha, së bashku me disa shkodranë të tjerë.

Çka do të thotë se hapat  e parë në këtë rrugë janë hedhur. E ardhmja duket në anën e këtij sulmuesi. Ai ka një mbështetje të madhe nga familja, që i rri gjithnjë pranë, dhe nga trajnerët Dibra dhe Noga, me të cilët punon çdo ditë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›