E Shtunë, 31 Tetor 2026

Budallakia e Balotellit

Sulmuesi i Manchester Cityt, Mario Balotelli e ka futur veten në telashe me menaxherin Roberto Mancini gjatë fitores me penallti ndaj LA Galaxy. Italiani, 20, u gjend i vetëm përballë portës kundërshtare dhe në vend se të mundohej të shënonte në mënyrë normale, ai bëri përpjekje të realizojë me thembër duke dërguar topin jashtë. Mancini e nxori menjëherë nga loja. Nga Express më 26 korrik 2011 në ora 11:19

Mario Balotelli vazhdon me të veten. Sulmuesi italian u zëvendësua pas vetëm 31 minutave lojë, pasi bëri përpjekje të shënojë me thembër, derisa ishte i vetëm para portës kundërshtare në ndeshjen që skuadra e tij Manchester City e zhvilloi kundër LA Galaxy të dielën.

Balotelli e kishte kaluar Cityn në epërsi nga penalltia, pas një ndërhyrjeje ndaj mbrojtësit Micah Richards. Ai më pas u gjend i vetëm para portës kundërshtare, por në vend se të mundohej të shënonte në mënyrë normale, Balotelli, 20 vjeç, bëri përpjekje të realizojë me thembër duke e dërguar topin jashtë.

Menaxheri Roberto Mancini ishte i hidhëruar dhe menjëherë e nxori Balotellin nga loja. “Shpresoj që ky të jetë një mësim për të”, tha Mancini pas ndeshjes që City e fitoi 7-6 me penallti pas barazimit 1-1 në kohën e rregullt.

“Në futboll ju gjithmonë duhet të jeni profesionist, gjithmonë serioz dhe në këtë rast ai nuk ishte profesionist. Nëse jeni serioz, ju mund të luani 90. Nëse jo, mund të vini dhe të uleni afër meje në pankinë”, shtoi strategu italian.

Balotelli u përgjigj me disa fjalë në drejtim të Mancinit, derisa ishte në rrugë për t’u ulur në pankinë duke dhënë indikacione se nuk e kuptonte çka kishte bërë gabim.

Mancini u përgjigj duke i bërë me shenjë se lëvizja që bëri ishte mungesë respekti ndaj kundërshtarit, ndërsa Balotelli i hidhëruar zuri vendin e tij në pankinë para se të hidhte një shishe ujë në tokë në shenjë të pakënaqësisë. Ai nuk u kthye në pankinë për pjesën e dytë, duke zgjuar sugjerime se mund të jetë qortuar ashpër në zhveshtore nga Mancini.

“Ai duhet të kuptojë se sjellja e tij duhet të jetë e mirë në çdo ndeshje, jo vetëm në një finale ose gjysmëfinale, por në çdo takim. Ai e di se ka bërë një gabim. Futbolli duhet të jetë gjithmonë serioz dhe nëse keni një rast për shënim, duhet të shënoni”, u shpreh Mancini.

Sjelljet e Balotellit kanë qenë pothuajse të njëjta prej kur ai iu bashkua Cityt 12 muaj më parë nga Inter, por Mancini u mundua të zvogëlojë incidentin.

“Mario është i ri, dua t’i ndihmoj atij dhe kjo është e tëra. Ta nxjerr pas 30 minutave është dënim i mjaftueshëm. Nuk do të jetë lehtë për të, por duhet t’i shërbejë si mësim”, përfundoi ai.

Balotelli ishte përjashtuar në West Brom në nëntor e më pas edhe kundër Dynamo Kievit në fazën eliminatore të Europa League, pas së cilës Mancini e quajti “budalla”.

Balotelli nuk u paraqit në paradën e trofeut në fund të sezonit, edhe pse ishte zgjedhur futbollisti më i mirë në fitoren në finale kundër Stoke City në FA Cup, në Wembley. Vetëm disa javë më parë, ai u paraqit në stërvitje me një fanellë që në gjoks kishte të shtypura dy revole.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›