E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkëlqen edhe në Ukrainë

Ahmed Januzi formën e mirë të shfaqur në Europa League e ka vazhduar edhe në kampionatin ukrainas. Sulmuesi kosovar e ka gjetur golin e parë të sezonit me Vorsklan, në fitoren 4:2 ndaj Metalurgut. 23 vjeçari po e shijon formën momentale, të cilën shpreson ta vazhdojë deri në fund të sezonit. Ai beson se Vorskla mund të shkojë larg në garat evropiane dhe sa më lart në tabelë në kampionatin ukrainas. Nga Moral Pozhegu më 26 korrik 2011 në ora 11:22

Pas formës së shkëlqyeshme që e shfaqi në Europa League, Ahmed Januzi po shkëlqen edhe në Ukrainë. Sulmuesi kosovar e ka ndihmuar ekipin e tij Vorskla drejt fitores ndaj Metalurg Donetskut, në xhiron e tretë të kampionatit ukrainas.

Vushtrriasi u inkuadrua në lojë në pjesën e dytë dhe realizoi golin e katërt të Vorsklas nga penalltia në minutën e fundit. Ai e nxori vetë 11 metërshin dhe më pas e shndërroi atë në gol, në fitoren 4:2, të dielën mbrëma.

Ky njëherësh ishte edhe goli i tij i parë i sezonit në Ukrainë. 23 vjeçari po e shijon këtë moment magjik. Ai shpreson të mos lëndohet sikur sezonin e kaluar. Ish futbollisti i Kosovës së Vushtrrisë e ka ndërmend të punojë fort për ta mbajtur formën aktuale.

“Një herë për një herë po shkon gjithçka mirë. Duhet të punoj vazhdimisht, unë nuk kënaqem me pak. Dua të jap edhe më shumë nga vetja. Kampionati është i gjatë, shpresoj të vazhdoj me këtë ritëm, duke shënuar gola dhe duke e ndihmuar Vorsklan të fitojë”, deklaroi Januzi për Express.

Sfida e radhës e Vorsklas do të jetë ajo e Europa League ndaj ekipit Sligo Rovers, e cila do të zhvillohet në Poltava. Ish futbollisti i Besës së Kavajës beson në rezultat pozitiv, pas tre golave që shënoi në sfidën e dyfishtë ndaj ekipit nga Irlanda e Veriut, Glentorna.

“Jemi përgatitur si duhet për këtë ndeshje. Shpresojmë të dalim mirë. Dëshirojmë të shkojmë sa më larg në Europa League dhe sa më lart në tabelë në kampionatin ukrainas”, vazhdoi Januzi.

Ndërkaq, Vorskla, e cila gjendet në pozitën e tretë të kampionatit ukrainas, të dielën do të luajë kundër Karpatit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›