E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tradita familjare

Diego Forlan vazhdoi traditën familjare. Pas babait të tij Pablo dhe gjyshit Juan Carlos, 32 vjeçari me dy golat e tij i ndihmoi Uruguait të mposhtë Paraguain 3-0 në finale të Copa America të dielën. Ai thotë se pas suksesit të tri gjeneratave brenda familjes, emri i tij do të jetë i fundit në histori. Nga Express më 26 korrik 2011 në ora 11:16

Sulmuesi i Uruguait, Diego Forlan beson se emri i tij tani është shkruar në histori të futbollit të Amerikës së Jugut. Forlan shënoi dy herë, pas golit të parë nga Luis Suarez, derisa Uruguai fitoi titullin e tyre rekord të 15-të në Copa America duke mposhtur 3-0 Paraguain në finale në Buenos Aires.

Për 32 vjeçarin Forlan suksesi vështirë se mund të kishte rëndësi më të madhe pasi ai bëri rekord paraqitjen e tij të 82-të për ekipin kombëtar, barazoi rekordin e Hector Scarones prej 31 golave dhe bëri atë që kishin bërë paraardhësit e tij, babai Pablo dhe gjyshi Juan Carlos, fitoi titullin.

“Gjyshi im e ka fituar, babai im e ka fituar, ndërsa tani edhe unë e kam fituar titullin në Copa America. Është krenari për familjen”, tha Forlan pas ndeshjes.

“Tri gjenerata të familjes time e kanë fituar këtë garë, Forlan do të jetë emri i fundit në histori të futbollit”, shtoi ai. Sa i përket takimit final, ai u shpreh:

“Ishte ndjenjë e komplikuar, por ekipi luajti mirë. Goli i hershëm na ndihmoi për të thjeshtësuar gjërat”.

Sulmuesi i Liverpoolit Suarez, i cili u zgjodh futbollisti më i mirë i garës, e kaloi Uruguain në epërsi pas 12 minutave para se Forlan të realizonte golin e dytë pas gjysmë ore lojë, duke ndërprerë serinë negative prej 13 ndeshjeve ndërkombëtare pa shënim. Suarez më pas e shërbeu Forlanin për golin e tij të dytë dhe të tretin për Uruguain në minutat e fundit dhe lavdëroi paraqitjen e ekipit.

“Luajtëm si grup. Mendoj se kur grupet janë të bashkuara në këtë mënyrë dhe të gjithë luftojnë për të njëjtin synim, mund të arrini atë që dëshironi”, tha Suarez i cili e përfundoi garën me katër gola, një më pak se golashënuesi më i mirë Paolo Guerrero nga Peruja.

“Gjëja më e rëndësishme ishte të fillojmë mirë. Me dy gola pas gjysmë ore mendoj se ata e kishin shumë të vështirë të ktheheshin”, deklaroi Suarez. Paraguai kishte arritur në finale pa shënuar asnjë fitore të vetme në kohën e rregullt dhe Justo Villar, i cili u zgjodh portieri më i mirë i garës, pranoi se ata ishin inferior ndaj Uruguait.

“Uruguai fitoi me meritë sepse ata janë ekip shumë solid dhe sulmuesit e tij janë dy luaj. Ata janë në mesin e sulmuesve më të mirë në botë. Ne arritëm në finale sepse kishim guxim dhe fat. Në pjesën e dytë kishim shumë prej posedimit të topit dhe krijuam disa raste të mira, por nuk arritëm t’i konkretizojmë ato”, deklaroi Villar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›