E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Futsall, më mirë se në Superligë

Futbolli i vogël në Kosovës ka filluar t’ia marrë anën Superligës. Organizimi i mirë dhe pagat e majme që po japin klubet e futsallit, kanë bërë që disa futbollistë nga elita e futbollit kosovar, të shprehin gatishmëri që të bëhen pjesë e këtij sporti, i cili po përparon çdo vit e më shumë. Nga Valon Konushevci më 26 korrik 2011 në ora 11:24

Edhe pse ka nisur vonë në Kosovë, futsalli vetëm sa nuk ia ka marrë anën futbollit të madh. Për dallim prej shumë sporteve të tjera, të cilat prej viti në vit veçse po bëjnë hapa prapa, futsalli vazhdimisht po bën përparime të theksuara në çdo pikëpamje.

Superliga e Kosovës, e cila konsiderohet si profesioniste, fatkeqësisht shumëçka nuk funksionin si duhet, duke nisur nga pagat dhe kontratat e futbollistëve, infrastruktura katastrofale, numri i vogël i shikuesve, etj.

Shumë klube me muaj nuk ua japin pagat futbollistëve të tyre, të cilët edhe ashtu paguhen dobët. Madje tani shumica e ekipeve të elitës kanë vendosur që t’i përgjysmojnë shpenzimet për edicionin e ri, i cili nis në muajin gusht.

Ky fakt, si duket, ka nisur t’i ‘trembë’ futbollistët nga Superliga. Nuk janë të pakët ata futbollistë që tashmë po mendojnë ta lënë Superligën, për ta vazhduar karrierën në futboll të vogël.

Kjo pasi klubet e futsallit po i paguajnë goxha mirë lojtarët e tyre, derisa nuk bëjnë vonesa në dhënien e rrogave, siç po ndodh në Superligë. Thjesht, futsalli mirë po funksionon dhe behanja e vetme e tij është mospjesëmarrja e ekipeve në gara ndërkombëtare, pasi FFK’ja ende nuk është anëtare e FIFA’s dhe UEFA’s.

“Ka interesim të futbollistëve të Superligës për t’u inkuadruar në futsall. Tani për tani, klubi është në pushim, por absolutisht nuk e përjashtoj mundësinë që të angazhojmë lojtarë nga Superliga, të cilët duan të luajnë në futsall”, deklaroi për Express, nënkryetari i BMB Prishtinës, Visar Miftari.

Ai përmendi edhe disa faktorë, të cilët i kanë shtyrë futbollistët që prej Superligës ta kthejnë kokën nga futsalli. “Atje ka lojtarë në moshë dhe nuk duan menjëherë të shkëputen nga futbolli, por edhe një kohë të luajnë futsall. Faktori tjetër është se në futsall lojtarët po marrin paga relativisht të mira, me të cilat ia dalin të mbajnë edhe familje. Faktori tjetër është se palestrat po mbushen me shikues dhe lojtarët kanë dëshirë të jenë pjesë e këtyre lloj arenash sportive”, u shpreh ai.

Sa i përket klubit BMB Prishtina, Miftari tha se nuk ua lëshon rrugën klubeve të Superligës në aspektin e shpenzimeve. “Brenda një edicioni, i kemi shpenzuar mbi 50 mijë euro, thuajse njëjtë sa shpenzojnë klubet në Superligë”, tha Miftari.

Shumë të njëjtë thonë se kanë shpenzuar edhe drejtuesit e Besës. Edhe kryetari i klubit pejan, Adnan Hyseni tregon se disa futbollistë të Superligës kanë zgjuar interesim për t’u bërë pjesë e kampionit aktual të futsallit.

Madje, interesimi i madh i lojtarëve për të kaluar nga Superliga në futsall, ua ka mundësuar ekipeve të zgjedhin. “Nuk do të marrim më vetëm lojtarë që ishin në fund të karrierës në Superligë. Do të marrim, por lojtarë më të rinj”, tha Hyseni, i cili njëherësh është trajner i ekipit.

Sipas tij, futbollistët kanë zgjuar interesim të bëhen pjesë e futsallit, sepse klubet e saj janë më të organizuara se klubet e Superligës.
“Superliga nuk është as pesë për qind më e organizuar se futsalli. Ju lutem, mos harroni se ne po organizojmë miqësore edhe me kampionë të shteteve me futsall të zhvilluar, në palestrat tona me nga 2500 shikues. Ekipet mysafire po befasohen me organizimin tonë”, përfundoi ai.

Që prej themelimit të ligës së futsallit, disa futbollistë me emër në Kosovës kanë lënë Superligën për këtë sporti; si vëllezërit Suad e Sunaj Keqi, Brahim Vojvoda, Florim Humolli etj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›