Kasami në Fulham

Pajtim Kasami e ka përmbyllur eksperiencën e shkurtër në Palermo. Pas vetëm një sezoni, mesfushori shqiptar do të largohet nga klubi italian, për t’u rikthyer në Angli. Për këtë garanton e përditshmja e njohur italiane ‘La Gazzetta dello Sport’, sipas së cilës, klubet kanë arritur marrëveshje në mes vete, por edhe me lojtarin.
“Nga ky transferim, Palermo do t’i përfitojë 4 milionë euro. Marrëveshja në mes të palëve është arritur, ndërsa zyrtarizimi do të arrijë javën që vjen”, shkruan kjo e përditshme italiane.
19 vjeçari, i cili në të kaluarën ishte pjesë e Liverpoolit, qëndroi kryesisht në bankën e rezervistëve tek klubi sicilian sezonin që shkoi, duke zhvilluar vetëm 14 ndeshje. Ai u paraqit më shumë në Europa League, ku Rosanerët nuk kishin gjasa të shkonin larg.
Kasami pati një periudhë fantastike në fazën para-sezonale, por gjatë sezonit përfundoi në bankë. Në janar, atë e kërkonin ekipe nga Serie B, por përfaqësuesi U-21 i Zvicrës refuzoi të luante në ligën e dytë italiane.
Së fundmi ai u kërkua nga Novara e Ujkanit e Shalës, por e mori vendimin që të luajë në një tjetër kampionat të rëndësishëm evropian, në Premierligë. Shumë shpejt pritet të dihen detaje të tjera, sidomos kohëzgjatja e kontratës së re me Fulhamin.