Bufasi: Trajneri Malko po bën shumë për Lushnjën
Mbrojtësi shtatlartë, Franci Bufasi, i dha fitoren skuadrës myzeqare ndaj Butrintit me atë gol të shënuar me kokë
Që prej ditës së hënë, lushnjarët janë fokusuar te ndeshja e radhës me Burrelin. Pas analizës së ndeshjes me Butrintin, ku fituan 1-0, ata janë përqendruar te kjo transfertë, që do të thotë shumë për Lushnjën. Ndeshja në fjalë konsiderohet me një koeficient të lartë vështirësie, por jo e pamundur për tu kaluar me sukses. Të gjithë presin një tjetër rezultat pozitiv nga skuadra verdhejeshile, që, nën drejtimin e trajnerit Saimir Malko po përmbys “fatin e keq” të fillimkampionatit. Lushnjarët janë në një pozitë komode në klasifikim, nëse do të gjykonim nisur nga fillimi i keq, por nuk duket i tillë, kur flasim për sedrën sportive dhe synimet e tyre.
Bufasi Autori i golit të vetëm në ndeshjen e fundit, mbrojtësi shtatlartë Franci Bufasi, ka bindjen se Lushnja e ka bërë kthesën dhe është në rrugën e duhur. Lushnjarët hasën vështirësi për të shënuar ndaj Butrintit, pasi mbrojtja e tij nuk lejoi hapësira për sulmin vendës. Ishte vendimtare ajo prekje e topit me kokë nga Bufasi, që i dha një fitore të çmuar skuadrës së tij. Ndeshja me Butrintin, pavarësisht impenjimit tonë, nuk po zgjidhej. Ashtu siç shënova unë, mund të shënonte çdokush, kështu që merita është e skuadrës dhe jo imja personale.
Nuk ka vend për gjëra personale, thjesht duhet të jemi të bashkuar. Mund të them se trajneri Malko po bën shumë për skuadrën, edhe kur merr përsipër përgjegjësitë, duke larguar ngarkesën psikologjike nga ne futbollistët. Për këtë duhet falënderuar. Për ndeshjen në Burrel kam besim se do të fitojmë. Burreli ka qenë i pathyeshëm në shtëpi vitet e fundit, por mendoj se i kemi aftësitë të marrim 3 pikët të shtunën. E kemi të qartë se duhet shumë punë dhe për këtë po punojmë gjatë kësaj jave,” – ka thënë gjiganti imbrojtjes lushnjare.
Ndeshja e kontrollit Stafi teknik ka zhvilluar dje ndeshjen e zakonshme të kontrollit, ku ka parë nga afër se në çfarë gjendje janë lojtarët. Në bazë të paraqitjes së secilit prej tyre, do të merret edhe vendimi se cili do të përfaqësojë ngjyrat verdhejeshile në takimin e nesërm me Burrelin.
