Galica: Elbasani, gati të heqë makthin e transfertave
Sulmuesi shkodran, Elhan Galica, shpreson të shënojë të tjerë gola vendimtarë për fanellën verdheblu
Elbasani ka një mision për të përmbushur: të fitojë jashtë fushe. Dhe shansi i parë për ta bërë këtë gjë është ndeshja me Butrintin në Sarandë, ku verdheblutë do të jenë shumë komodë, sepse luhet pa praninë e tifozëve vendës. Është një ndeshje e cilësuar e vështirë, por elbasanasit e shohin veten favoritë. Ekipi i drejtuar nga dyshja File-Dosti vjen pas fitores me Kukësin dhe ka moralin e duhur për të nxjerrë një ndeshje të bukur edhe jashtë fushe.
Synohet fitorja e parë në transfertë, që do tu hapte rrugën të tjerave, por mbetet për tu parë se çfarë do të bëjë konkretisht Elbasani në Sarandë, sepse deri tani nuk ka bindur jashtë stadiumit Ruzhdi Bizhuta. Sulmuesi shkodran i Elbasanit, Elhan Galica, i cili ishte vendimtar me golin e tij në fitoren me kuksianët, shprehet se ekipi i tij nuk do të kthehet pa pikë nga Saranda, por ai kërkon maksimumin:
“Vijmë pas një fitoreje në kampionat dhe natyrisht jemi lart moralisht. Ka ardhur koha që Elbasani të fitojë edhe jashtë fushe, ndaj dhe ndeshjes me Butrintin po ia bëjmë shërbimin. Shkojmë në Sarandë me synimin e vetëm për të marrë tri pikët dhe mendoj se qysh nga kjo ndeshje do të vijë kthesa jonë e madhe. Me Butrintin duam të çlirohemi psikologjikisht edhe në transfertë.
Një tjetër gol 3-pikësh Sulmuesi shkodran shpreson që të jetë protagonist edhe në ndeshjen e radhës, duke shënuar për Elbasanin: Kam dëshirë që të shënoj një tjetër gol tripikësh për Elbasanin këtë fundjavë, ashtu siç bëra ndaj Kukësit. Dua ta ndihmoj ekipin tim të arrijë fitoren e shumëpritur në transfertë. Nuk do të më vinte keq edhe nëse nuk do të shënoja, mjafton që të fitojë Elbasani. Do mundohemi të shfrytëzojmë edhe faktin që ndeshja do të luhet pa tifozë, ka theksuar në fund Galica.
