Dine: Tani po vjen Himara e vërtetë
Fitorja me Gramshin ka ardhur në momentin e duhur për Himarën, që duket se e ka lënë pas gjendjen e vështirë. Përveç 3 pikëve me shumë vlerë, kjo fitore ka ndryshuar edhe gjendjen morale të himariotëve, të cilët tani shohin me më shumë besim përpara. Portieri Erion Dine thekson se një rezultat pozitiv me Gramozin në transfertë do të tregonte se Himara e ka kapërcyer momentin e keq: Pavarësisht deklaratave nga pala kundërshtare për gjykim të njëanshëm, të gjithë duhet ta dinë se Himara e meritoi fitoren me Gramshin.
Ndoshta miqtë kërkojnë të justifikojnë humbjen. Ajo fitore na ka mbushur me optimizëm dhe mendoj se edhe në Ersekë do të marrim pikë. Himara është një ekip shumë i mirë, por ne nuk kemi treguar deri më tani asgjë nga vlerat tona të vërteta. Ende nuk e keni parë Himarën e vërtetë. Them se me Gramozin kemi mundësi të marrim rezultat, ndaj dhe do të luajmë shanset tona. Nuk kemi pse ti friksohemi asnjë kundërshtari, ka thënë mes të tjerash portieri vlonjat i Himarës, Erion Dine.
