Sarandiotët: Dikush do që ta rrëzojë Butrintin!
Dy ndeshjet e radhës në shtëpi Butrinti duhet ti luajë pa praninë e tifozëve, konkretisht atë të kësaj jave me Elbasanin dhe më pas atë me Burrelin. Nuk do të jenë në shkallët e stadiumit tifozët e zjarrtë sarandiotë, të cilët janë të revoltuar nga dënimi i komisionit të disiplinës dhe mendojnë se gjithçka është e qëllimshme. Tifozët shprehen në mënyra të ndryshme, por të gjithë dalin në konkluzionin se FSHF-ja po vepron për ta dëmtuar Butrintin.
“Federata po na ndëshkon gjithmonë dhe duket se ka qejf të na bëjë shembull. Sa për ato thirrjet që na konsiderojnë grekë, dua të theksoj se ne jemi shqiptarë. E patë çfarë bëmë në Himarë? Ne thjesht duam të shohim futboll dhe të bëjmë tifo për ekipin tonë të zemrës, thotë një ultras i Butrintit. Kurse një tjetër shton: Mungesa e tifozërisë është problem i madh për Butrintin, pasi dihet roli i saj për çdo ekip.
Është ndëshkim i madh për ne dhe i pamerituar. Kemi parë shfaqje më të dhunshme, ku janë ndëshkuar vetëm 1 javë, ndërsa ne na dhanë 2 javë, plus gjobën.” Tifozët sarandiotë kanë bindjen se njerëz të caktuar duan ta rrëzojnë Butrintin, por ata janë të vendosur për ta mbështetur ekipin në çdo moment.
