E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bufon: Nëse do barazonin, gjermanët do kishin fituar 9-2

KIEV- Italia triumfoi 2-1 ndaj Italisë në gjysmëfinalen e kampionatit europian të zhvilluar dy ditë më parë, duke bindur me lojë dhe me rezultat, por në fund të takimit ajo që u bëri përshtypje të gjithëve ishte largimi i Bufon nga fusha tejet i nervozuar. Askush nuk e mori vesh arsyen, madje në fillim u fol se ai ishte duke shfryrë për akuzat e lidhjes me botën e basteve përpara startit të turneut. Por, numri 1 i të kaltërve, një nga heronjtë e ndeshjes ndaj Gjermanisë, ka rrëfyer vetë gjithçka përsa i përket atij momenti. “Kur luan për diçka unike, një objektiv kaq prestigjioz, në një ndeshje që duket e mbaruar, nuk mund të vuash aq shumë në 5 minutat e fundit, - shpjegoi Bufon. – Dukej sikur po luanim me zjarrin, megjithë ato raste që humbëm. Nëse Gjermania do të kishte barazuar, atëherë ndeshja në shtesë do të kishte përfunduar 9-2 për ata”, tha portieri i Juventusit. Sipas tij, futbollistët italianë duhet të kishin shënuar golin e tretë, pasi edhe në momentin që shkurtoi diferencën në 2-1, Gjermania mund të kishte rrezikuar. Pasi Markizio humbi një mundësi të artë, duke mos pasuar, por duke gjuajtur jashtë, Bufon në portë u pa tepër i irrituar me shokun e tij të ekipit te Juventusi, i vetëdijshëm se Gjermania me një gol mund të rihapte gjithçka. “Europiani nuk është diçka serioze, është më shumë. Kur ke mundësi, duhet të fitosh sa më thellë. Në disa aspekte duhet të përmirësohemi, pasi kjo skuadër është e re me disa “pleq”, të cilët herë pas here të mërzisin”, shton Bufon. 

Portieri italian analizoi edhe triumfin ndaj Gjermanisë, duke iu kërkuar futbollistëve të qëndrojnë me këmbë në tokë dhe duke pranuar se gjermanët ishin të pafat në disa momente. “Të mos e ekzagjerojmë, luajtëm një ndeshje të madhe dhe mund të kishim fituar më thellë, por kur ishim 0-0 ishim me fat në disa momente dhe ndonjë “karambol” i topit shkoi në drejtimin e duhur. Duhet të jemi të kthjellët në analizën tonë, pasi nëse në ato momente do të kishim pësuar gol, ndeshja do të kishte ndryshuar”, deklaroi Xhixhi Bufon, referuar 2-3 momenteve të mira të Gjermanisë në startin e ndeshjes. 

Më tej, numri 1 i Italisë ka folur për tifozët dhe entuziazmin e krijuar në gjithë Italinë. Ai pranoi se ka qëndruar një orë e gjysmë në dhomë, duke parë në You Tube sheshet italiane të mbushura me tifozë. “Për sot, një gjysmë buzëqeshja mjafton, por shpresoj të buzëqeshim tamam të dielën. Këta tifozë më emocionojnë shumë, më motivojnë tej mase”, shprehet portieri. “Jemi duke luftuar edhe për ju, - iu drejtua ai njerëzve në facebook. – Më emociononi shumë kur ju shoh të gjithëve në festë. Nuk na keni braktikisur kurrë dhe jam i sigurt se do ta nderonit këtë fanelë siç po bëjmë ne”, shkruante më tej Bufon.

EURO 2012
Gjysmëfinalet
27.06
Portugali-Spanjë 2-4 (pen)
Arbitër: Cunejt Çakir (Tur)
28.06
Gjermani-Itali 1-2
Shënues: Ozil 92’ (pen) / Baloteli 20’, 36’
Arbitër: Sten Lanua (Fra)
FINALJA
1 Korrik
Itali-Spanjë
(m.a/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›