Bufon ëndërron afrimin e Ronaldinjos te Juventusi
Xhanluixhi Bufon ka pranuar se do të ishte një ëndërr, nëse Juventusi do të blinte Ronaldinjon. Portieri bardhezi ka folur me superlativa edhe për Amaurin, i cili është shumë pranë transferimit te torinezët. Pas dy sezoneve, Juventusi po përgatitet të kthehet në ditët e lavdishme, pasi skuadra e drejtuar nga Ranieri e ka siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve. Bufon paralajmëron se ekipit i nevojiten përforcime të rëndësishme, nëse pretendojnë që të jenë konkurrues seriozë. "Nevojitet që skuadra të jetë më e plotë, si në numrin e futbollistëve që trajneri do të ketë në dispozicion, ashtu edhe në kualitet", pohoi portieri më i mirë në botë. "Në çdo repart na duhen një apo dy lojtarë të nivelit të lartë. Afrimi i Ronaldinjos do të ishte një ëndërr, si për vetë futbollistët ashtu edhe për tifozët. Megjithatë, për të marrë brazilianin duhet që gjithçka në klub të jetë në rregull, pasi në rast të kundërt afrimi i tij do t‘i bënte keq skuadrës". Zërat rreth të ardhmes së Ronaldinjos qarkullojnë prej kohësh dhe për shërbimet e tij, Juventusi duhet të konkurrojë me Çelsin dhe Mançester Sitin (Inter dhe Milan janë tërhequr pasi e kanë konsideruar kërkesën e Barcelonës shumë të lartë). Ndërkohë, në Spanjë flitet se karriera e Ronaldinjos është në rrezik, pas disa testeve mjekësore që lojtari ka bërë privatisht në klinikën e Delfos në Barcelonë. Lajmi është publikuar nga gazeta "Adn", e cila theksonte se Dinjo nuk është i përshtatshëm për të luajtur futboll në nivele të larta. Numri 10, i cili nuk aktivizohet për shkak të disa problemeve muskulore, është paraqitur në klinikën e lartpërmendur i shoqëruar nga një mjek i tij i besuar dhe iu nënshtrua një sërë testimesh dhe radiografish. Rezultatet finale ishin shumë shqetësuese. "Fizikisht është shumë më keq nga sa mendohet", ka pohuar një burim pranë klinikës për "Adn". Barcelona nuk ishte në dijeni të kësaj vizite, me të cilën braziliani kërkonte të mësonte nëse do të rikthehej në fushën e lojës përpara mbylljes së sezonit (Primera Division mbyllet pas tre javësh). Duket se Ronaldinjo, i vetëdijshëm se do të largohet nga Katalunja, dëshironte të luante ndeshjen e fundit përpara publikut "blaugrana", "për t‘i përshëndetur ashtu si e meritojnë".
Duke u kthyer te Bufon, "gardiani" foli për Ligën e Kampioneve: "Është diçka shumë e bukur të kthehesh në kupat e Evropës dhe të luash kundër skuadrave më të forta në botë. Realisht, kjo ndjesi më mungonte". Ai ka përshëndetur edhe dy lëvizjet në merkato të klubit bardhezi, që ka siguruar shërbimet e mbrojtësit Olof Melberg dhe synon sulmuesin brazilian, Amauri. "Tek Amauri reflektohet modeli i ri i sulmuesit në Itali dhe në Palermo ai shënoi dy gola shumë të bukur në portën time", tha 30-vjeçari. "Por, vitin e ardhshëm, në një klub të madh, ai duhet të konfirmojë se është futbollist i klasit botëror. Për sa i përket Melberg, ai di si të udhëheqë mbrojtjen, është një lojtar fizik dhe me shumë personalitet. Njerëz të tillë na duhen".