E Diel, 1 Nëntor 2026

Birmania bën bilancet e ciklonit

Organizatat humanitare kanë bërë thirrje që t‘u mundësohet të ndihmojnë të mbijetuarit nga cikloni i së shtunës në Birmani, tani që po bëhen të qarta pasojat e tij. Dhjetëra mijëra vetë humbën jetën gjatë ciklonit të para katërve ditëve. Autoritetet thonë se 22 mijë kanë vdekur dhe fati i mbi 40 mijë të tjerëve nuk dihet. OKB-ja llogarit se rreth 1 milion vetë kanë mbetur të pastrehë dhe kanë nevojë urgjente për ushqim dhe ujë të pijshëm. Ka njoftime, ndërkohë, se kanë filluar të shpërndahen ndihmat e para humanitare. Por, korrespondentët thonë se ndihmat e mbërritura nuk janë të mjaftueshme dhe se qeveria nuk ka burime dhe mjete për të përballuar katastrofën. Koordinatori i OKB-së për çështjet humanitare në Nju Jork, Rashid Khalikov, tha se zona më e prekur ishte ajo e deltës Irravadi, ku banorët kanë nevoja urgjente për ujë, ushqim e strehë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›