Kastrioti, aksidentohen gjashtë futbollistë
Gjashtë futbollistë të Kastriotit kanë qenë dje pjesë e një aksidenti të rëndë. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, automjeti me të cilën 6 lojtarët po udhëtonin drejt Krujës, nuk ka arritur të shmangë në kohë një makinë tip "Benz" që i ka prerë rrugën. Automjeti ku ishin futbollistët, si rrjedhojë e përplasjes, ka aksidentuar edhe një grua 86-vjeçare që po kalonte pranë vendit të ngjarjes. Futbollistët Erjon Rizvanolli, Elton Grami, Erald Turdiu, Rigers Hyso dhe Xhejms Osusi janë dërguar menjëherë në spitalin e Fushë-Krujës, por asnjë prej tyre nuk ka pasur pasoja të rënda pas këtij aksidenti. Sulmuesi Rizvanolli ka pësuar një çarje në kokë, por, pas trajtimit nga stafi mjekësor, është larguar nga spitali. Më e rëndë ka qenë situata për gruan e moshuar, e cila është shtruar në Spitalin Ushtarak në kryeqytet, pasi është në rrezik për jetën.